Mali i Zi me çmimet më të lira të karburanteve
Çmimet e Eurosuper 95 dhe Eurodiesel në Mal të Zi janë më të ulëtat ndër vendet e rajonit, sipas të dhënave të Buletinit të Ministrisë së Investimeve Kapitale në Mal të Zi, shkruan TV Teuta. Sipas këtyre të dhënave për çmimet e derivateve të naftës, një litër Eurosuper 95 në Mal të Zi kushton 1.65 euro. Në Shqipëri çmimi është 2,03 euro, Kosovë 1.90 euro Kroaci 1,83 euro, Maqedonia e Veriut 1,82 euro, Serbi 1,69 euro dhe Bosnje dhe Hercegovinë (BiH) 1,66 euro.
Eurosuperin 95 më të shtrenjtë në Evropë e paguajnë qytetarët e Finlandës 2.56 euro. Kur bëhet fjalë për Eurodiesel, një litër në Mal të Zi kushton 1.58 euro. Në Shqipëri është 2,17 euro, Kosove 1.88 euro, Kroaci 1,84 euro, Serbi 1,78 euro, Maqedoninë e Veriut 1,76 euro dhe BiH 1,68 euro.
Qytetarët suedezë paguajnë 2.49 euro për Eurodiesel, që është çmimi më i lartë në Evropë. Në nivel javor, Ministria publikon të dhëna bazë lidhur me shitjen me pakicë të derivateve të naftës, përkatësisht çmimet krahasuese të karburanteve në rajon dhe Evropë. Ky krahasim megjithatë mund të ndryshojë nga java e ardhshme, kur pritet që çmimet e derivateve të naftës në Mal të Zi të pësojnë një rritje të madhe.