Mali i Zi ofron përkrahje për Kosovën në forumet ndërkombëtare
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim të ngarkuarin e ri me punë të Republikës së Malit të Zi në Kosovë, ambasadorin Mirsad Biboviq.
Kurti e uroi ambasadorin për pozitën e re, duke i ofruar bashkëpunimin e Republikës së Kosovës dhe Zyrës së Kryeministrit në forcimin e mëtejmë të marrëdhënieve bilaterale.
“U bisedua për situatën me pandeminë në të dy vendet dhe përpjekjet që po bën Qeveria e Kosovës për të menaxhuar sa më mirë gjendjen e rënduar gjatë muajit gusht me variantin Delta. Kryeministri foli për projekte të përbashkëta infrastrukturore që lidhin Kosovën dhe Malin e Zi, siç janë rruga Deçan-Plavë dhe Pejë-Rozhajë, e që do të afronin qytetarët e të dy vendeve dhe do të ndihmonin ekonominë”, ka njoftuar Qeveria e Kosovës.
Sipas këtij njoftimi, kryeministri Kurti theksoi se Kosova dhe Mali i Zi ndajnë aspirata të përbashkëta për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe janë partnerë në përpjekjet e përbashkëta për demokratizim dhe zhvillim të rajonit.
Ambasadori Biboviq e përgëzoi kryeministrin për programin qeveritar, duke i uruar suksese në arritjen e rezultateve për qytetarët. Ai theksoi marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve dhe angazhimin për thellimin e tyre, si dhe ofroi përkrahjen e Malit të Zi në forumet ndërkombëtare.