Mali i Zi refuzon Shengenin ballkanik: Thjesht humbje energjie!
Ministrja e Ekonomisë e Malit të Zi, Dragica Sekulic, hodhi poshtë idenë për t’iu bashkuar një versioni ballkanik të zonës Shengen, e cila do të shihte heqjen e pengesave për tregtinë e lirë dhe udhëtimet midis Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Serbisë, Kosovës e Bosnjë-Hercegovinës.
Ministrja Sekulic, e cituar nga “Koha Ditore”, ka thënë se bashkimi në nismën mini-Shengen për shtetet e Ballkanit e propozuar nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia do të ishte një humbje energjie. Ajo ka sqaruar se si Mali i Zi tashmë “i ka hapur kufijtë e tij” dhe se ka hequr barrierat tregtare për fqinjët.
Ka treguar se Mali i Zi është anëtar i Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA), një iniciativë rajonale për vendet e Ballkanit Perëndimor që garanton qarkullimin e lirë të njerëzve dhe mallrave.
“I kuptoj nismëtarët. Këto janë vende që, për shkak të barrierave të ndryshme tregtare që i kanë vendosur njëri-tjetrit, mund të ketë nevojë për një iniciativë të re për të premtuar përsëri se ata do të bëjnë atë që ne e kemi bërë prej kohësh”, ka deklaruar Sekulic./shqip