Mali i Zi rihap kufijtë me disa shtete në fillim të qershorit
Vendet e para me të cilat Mali i Zi do t’i rihapë kufijtë në fillim të qershorit, janë: Kroacia, Sllovenia, Austria, Gjermania, Polonia, Republika Çeke, Hungaria, Shqipëria dhe Greqia. Kështu ka thënë të hënën kryeministri malazez, Dushko Markoviq.
Markoviq po ashtu ka thënë se nga fillimi i javës së ardhshme synohet të rihapen edhe çerdhet e fëmijëve, si dhe të mundësohet që një numër i kufizuar i njerëzve t’i ndjekin ngjarjet sportive.
Mali i Zi, qysh të dielën pas 68 ditësh nga shfaqja e rastit të parë me koronavirus nuk ka asnjë person të sëmurë me sëmundjen Covid-19.
Qysh më 5 maj, ky vend nuk ka regjistruar asnjë rast të ri të infektimit.
“Ky është suksesi i shtetit dhe i secilit individ dhe një rezultat për të cilin mund të krenohemi, por që na detyron të vazhdojmë me përgjegjësi, në mënyrë që t’i adresojmë pasojat e krizës ekonomike. Mali i Zi është vendi i parë në Evropë që mposht virusin”, ka deklaruar Markoviq, i cili në konferencën për media ua paraqit pa maskë.
Rastet e para me Covid-19në Mal të Zi janë shfaqur më 17 mars.
Në total, 324 persona janë infektuar; prej tyre 315 janë shëruar dhe nëntë kanë vdekur.