Mali i Zi s’do të ketë ndryshime thelbësore ndaj Kosovës
Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi, Faik Nika, nuk beson se qeveria e re e Malit të Zi, e cila pritet të formohet, do t’i ndryshojë orientimet strategjike në politiken e jashtme.
Ai ka bërë me dije se partnerët e koalicionit të ri janë zotuar se qeveria e re nuk do të ketë ndryshime thelbësore ndaj Republikës së Kosovës.
Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, Nika ka thënë se ndër parimet kryesore të marrëveshjes mes parterëve të koalicionit që do ta bëjnë shumicën është edhe respektimi i njohjes së Republikës së Kosovës.
“Në një marrëveshje paraprake të nënshkruar nga përfaqësues të tre koalicioneve që do ta bëjnë shumicën e re dhe ta formojnë qeverinë kanë pranuar se në orientimet strategjike në politikën e jashtme të Malit të Zi nuk do të ketë ndryshime nga kursi i deritashëm. Le të shpresojmë se mund të bëhet diçka më mirë në aspektin e zhvillimit ekonomik, luftën kundër korrupsionit dhe shtetin e së drejtës”, ka thënë Nika.
Ai shpreson se tri subjektet politike do t’i përmbahen kësaj marrëveshje. “Besojmë se në politikën e jashtme të Malit të Zi, në veçanti ndaj Kosovës nuk do të ketë ndryshime thelbësore, përderisa kjo nuk varet vetëm nga njëri subjekt apo koalicion, pjesëtarë të qeverisë së ardhshme. Ne shpresojmë se do të respektohen parimet kryesore të marrëveshjes paraprake të partnerëve të koalicionit ku, ndër të tjera, pikë e veçantë është edhe respektimi i njohjes dhe pavarësisë së Kosovës. Shpresojmë se do t’u përmbahen zotimeve të nënshkruara dhe të deklaruara publikisht”, është shprehur ai.
Nika ka thënë se shqiptarët e Malit të Zi nuk kanë ndonjë pritje të madhe nga kjo qeveri. “Në përgjithësi, nuk mund të themi se kemi pritshmëri të mëdha duke i ditur qëndrimet dhe deklaratat e partnerëve të tjerë të këtij koalicioni lidhur me orientimet strategjike të Mali të Zi, shtetësinë e Malit të Zi, pranimin e Kosovës si shtet i pavarur në integrimet euro-atlantike etj”, ka deklaruar ai.
Më tej, Nika ka theksuar se shqiptarët e këtyre trevave duan të drejta të barabarta si të minoriteteve të tjera. “Ne si popull autokton në Mal të Zi kërkojmë që të kemi të drejta të barabarta si të gjithë pjesëtarët e etnive të tjera që bëjnë pjesë në këtë shtet, edhe pse kemi veçori të theksuara kulturore, gjuhësore e gjeografike në krahasim me popujt e tjerë që në përgjithësi janë sllavofonë”, ka thënë ai. Në këtë intervistë ai ka folur edhe për sfidat me të cilat përballen shqiptarët e kësaj pjese.
“Epoka e re”: Qeveria malazeze ka dhënë pëlqimin rreth përdorimit të flamujve, himneve dhe ditëve të festave kombëtare të komuniteteve. Cila është rëndësia e kësaj për shqiptarët?
Nika: Shqiptarët në Mal të Zi kanë pasur probleme të vazhdueshme në lidhje me përdorimin e simboleve kombëtare duke qenë se simbolet kombëtare janë konsideruar simbolet e një shteti tjetër. Ne si Këshill Kombëtar i kemi sqaruar Qeverisë së Malit të Zi disa herë rreth flamurit tonë kombëtar, lashtësisë së tij dhe arsyes përse pikërisht flamuri kuqezi përfaqëson çdo shqiptar kudo që ndodhet. Në disa raste shqiptarët janë përballur me gjoba të ndryshme për shkak të shpalosjes së flamurit kombëtar. Me ligjin aktual për simbolet kombëtare dhe dhënien e këtij pëlqimi nga ana e Qeverisë së Malit të Zi, besojmë se një herë e mirë u jepet fund paqartësive lidhur me përdorimin e lirë të simboleve kombëtare nga shqiptarët në Malin e Zi dhe pranohet flamuri kombëtar i njëjti siç është flamuri kombëtar i cili përdoret nga të gjithë shqiptarët në mbarë botën.
“Epoka e re”: Sa jeni të kënaqur me respektimin e të drejtave të shqiptarëve në këtë shtet?
Nika: Ne si popull autokton në Mal të Zi kërkojmë që të kemi të drejta të barabarta si të gjithë pjesëtarët e etnive të tjera që bëjnë pjesë në këtë shtet, edhe pse kemi veçori të theksuara kulturore, gjuhësore e gjeografike në krahasim me popujt e tjerë që në përgjithësi janë sllavofonë. Megjithatë ne duam të trajtohemi të barabartë në përfaqësim institucional, në përfitimin e të mirave materiale që shkojnë në buxhetin e shtetit nga shfrytëzimi i resurseve të vendbanimeve të shqiptarëve në Malin e Zi, që nënkupton shpërndarje të drejtë të pasurisë dhe investimeve publike kapitale. Po t’i lexojmë ligjet në Mal të Zi kuptojmë se janë në nivel dhe shqiptarët kanë të drejtat e garantuara qoftë me Kushtetutë, qoftë sipas konventave ndërkombëtare, megjithatë nuk mund të themi të njëjtën gjë për anën praktike, që do të thotë ka ngecje në zbatueshmërinë e ligjeve.
“Epoka e re”: Cilat janë sfidat kryesore me të cilat përballen shqiptarët atje?
Nika: Për shqiptarët në Mal të Zi mund të themi se sfidë kryesore tani kemi aspektin e zhvillimit ekonomik, duke qenë se zonat e banuara me shqiptarë në Mal të Zi janë më të pazhvilluarat nëse i krahasojmë me qytetet dhe qendrat e tjera në Mal të Zi. Të ardhurat e pakta dhe mungesa e vendeve të punës për të rinjtë sjellin edhe sfidën tjetër që është migrimi i shqiptarëve dhe kështu kjo sjellë zvogëlimin e numrit të shqiptarëve që janë banues të përhershëm në Mal të Zi dhe kjo përqindje, që dita-ditës është në rënie, po ashtu probleme të tjera që lidhen zinxhir dhe bëjnë faktorin politik shqiptar akoma më të dobët. Në anën tjetër kemi problem të theksuar fenomenin e asimilimit të shqiptarëve në Malin e Zi dhe deklarimin e tyre si pjesëtarë të kombësive të tjera. Sfida të tjera janë përherë edhe ruajtja e identitetit tonë kombëtar, ruajtja e gjuhës shqipe, arsimi shqip në Mal të Zi etj.
“Epoka e re”: Mali i Zi është në prag të ndërrimit të pushteteve. Njëra prej subjekteve që synon të bëhet pjesë e qeverisë udhëhiqet nga një shqiptar. Cilat janë pritjet e juaja nëse kjo parti do të bëhet pjesë e qeverisë së re?
Nika: Në përgjithësi nuk mund të themi se kemi pritshmëri të mëdha duke i ditur qëndrimet dhe deklaratat e partnerëve të tjerë të këtij koalicioni lidhur me orientimet strategjike të Mali të Zi, shtetësinë e Malit të Zi, pranimin e Kosovës si shtet i pavarur në integrimet euro-atlantike etj. Por në një marrëveshje paraprake të nënshkruar nga përfaqësues të tre koalicioneve që do të bëjnë shumicën e re dhe formojnë qeverinë kanë pranuar se në orientimet strategjike në politiken e jashtme të Malit të Zi nuk do të ketë ndryshime nga kursi i deritashëm. Le të shpresojmë se mund të bëhet diçka për më mirë në aspektin e zhvillimit ekonomik, luftën kundër korrupsionit dhe shtetin e së drejtës.
“Epoka e re”: Siç dihet, partia kryesore e koalicionit që synon ta formojë qeverinë e re është pro serbe dhe dihet qëndrimi i saj ndaj shtetit të Kosovës. Mund të ndërrojë politika e jashtme e Malit të Zi ndaj Kosovës me qeverinë e re?
Nika: Siç e potencova edhe më lart, besojmë se në politikën e jashtme të Malit të Zi, në veçanti ndaj Kosovës, nuk do të ketë ndryshime thelbësore përderisa kjo nuk varet vetëm nga njëri subjekt apo koalicion, pjesëtarë të qeverisë së ardhshme. Ne shpresojmë se do të respektohen parimet kryesore të marrëveshjes paraprake të partnerëve të koalicionit ku, ndër të tjera, pikë e veçantë është edhe respektimi i njohjes dhe pavarësisë së Kosovës. Shpresojmë se do t’u përmbahen zotimeve të nënshkruara dhe të deklaruara publikisht.
(Muhamet KOCI)