Mali i Zi – Shqiptarët vendimtarë!
Shkruan: Anisa Bahiti
Zgjedhjet e Malit te Zi dhanë një mandat të qartë, shqiptarët janë vendimtarë për fatet e vendit. Nga njëra anë Millo Gjukanoviqi babai i shtetit të Malit të Zi, fitues historik i të gjitha zgjedhjeve si dhe i referendumit që i dha pavarësinë vendit. Në anën tjetër një koalicion opozitar pro-serb që ka koalicion me Kishën Serbe, e cila përballë lëvizjes së Gjukanoviqit për pavarësimin e Kishës malazeze dhe marrjen e pronave të kishës serbe ka mobilizuar një koalicion opozitar si asnjëherë më parë. Rezultati është praktikisht barazim, Gjukanoviqi akuzohet për korrupsion dhe keqqeverisje kurse opozita ka marrë në krah një aleat shumë të fortë, Kishën ruse dhe serbe.
Në koalicionin proeuropian të Gjukanoviqit janë 2 deputetët shqiptarë të dalë nga këto zgjedhje, janë deputetët boshnjakë por edhe ata të socialdemokratëve të partisë së Kryetarit të parlamentit. Në anën e opozitës përtej partisë kryesore pro-serbe janë dhe disa ish aleatë të Gjukanoviqit, si dhe një koalicion pro qytetar që drejtohet nga një shqiptar i ri me mbiemër të sllavizuar, por me retorikë dhe metodologji të re, i cili praktikisht ka fatet e qeverisjes së ardhshme në dorë. Duket paradoksale por është e vërtetë thirrja e lidershipit politik nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia për të votuar partinë e Gjukanoviqit për pak sa mund ta lërë në opozitë atë .
Dy mandatet e shqiptarëve do të jenë vendimtare për fatet e Malit të Zi dhe ardhmërinë euro-atlantike të vendit fqinj. Sikur edhe mandatin e dytë ta humbin shqiptarët dhe atë ta marrë lëvizja e Dritan Abazoviqit, humbja do ishte e sigurtë për Millo Gjukanoviqin dhe sikur të ishte bërë thirrje në unison të votonin vetëm për partitë shqiptare ndoshta edhe në një koalicion të vetëm tre deputetë do ishin të sigurtë dhe qeverisja gjithashtu. Tashmë rezultatet janë fakt dhe tre përfundime duhen nxjerrë nga këto zgjedhje.
E para kërcënimi real për kthimin e Serbisë dhe të projektit pro-rus dhe antieuropian në Ballkan është gjithnjë prezent. Së dyti rreziku i asimilimit politik të faktorit shqiptar është gjithnjë i lartë ndaj Tirana dhe Prishtina zyrtare duhet të bëjnë kujdes e të mos fusin hundët vetëm për interesa të ditës por të jenë largpamës ndaj interesit qytetar dhe kombëtar aty ku jetojnë. E treta dhe më e rëndësishmja është që të kuptohet që nuk qeveriset vetëm me demagogji por me rezultate konkrete, ndryshe rreziku i rikthimit në të shkuarën është gjithnjë prezent.