Mali i Zi voton nën tensione politike, 54.1% dalja deri në orën 13:00
Me hapjen e qendrave të votimit në orën 7 të mëngjesit, në Mal të Zi ka nisur gara zgjedhore për 81 ulëse në Parlamentin e shtetit.
Qendra e Monitorimit (CEMI) njoftoi se gjithsej 54.1% e votuesve votuan deri në orën 13:00.
Zgjedhjet parlamentare janë duke u mbajtur nën tensione të larta politike dhe nën rrezikun që paraqet pandemia e koronavirusit.
Për 81 ulëset parlamentare garojnë gjashtë koalicione dhe pesë parti.
Këto janë zgjedhjet e njëmbëdhjeta që nga futja e sistemit shumëpartiak në Mal të Zi, ndërsa të pestat prejse ky shtet ka shpallur pavarësinë, më 2006.
Njëkohësisht janë duke u mbajtur edhe zgjedhjet lokale në tri komunat bregdetare: Budvë, Kotor dhe Tivat, dhe në dy komuna më të vogla në veri: Andrijevicë dhe Guci.
Zgjedhjet vëzhgohen nga 2,089 vëzhgues, nga të cilët 265 janë të huaj.
Në Mal të Zi ndodhet Rrjeti Evropian i Organizatave për Vëzhgimin e Zgjedhjeve (ENEMO) me gjithsej 23 ekipe që do të vëzhgojnë procesin zgjedhor.
Shefi i misionit vëzhgues të ENEMO-s në Mal të Zi, Gianluca Passarelli, ka thënë se zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi mbahen në një kohë vendimtare për këtë vend dhe se trazirat politike dhe sociale, kriza ekonomike dhe pandemia paraqesin një sfidë të madhe për të gjithë sistemin.
Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik në Mal të Zi, Boban Mugosha, ka thënë se procesi zgjedhor nuk do të paraqesë rrezik epidemiologjik nëse respektohen të gjitha masat.
Sipas tij, situata epidemiologjike në Mal të Zi është përkeqësuar për shkak të tubimeve masive, porse nga vetë zgjedhjet nuk do të ketë rrezik.
“Njerëzit mund të shkojnë lirshëm të votojnë dhe të mbajnë maska, distancë dhe higjienë. Kështu, hapësira e votimit mund të jetë plotësisht e sigurt”, ka thënë Mugosha./rel/