Maliqi: Arrestimi i drejtorëve të ‘Mehmet Akifit’, pjesë e ndjekjes së turpshme të shtrigave
Njohësi i rrethanave politike, Shkëlzen Maliqi, ka reaguar lidhur me arrestimin e drejtorëve të shkollave “Mehmet Akif”.
Ai dyshon se ky arrestim është pjesë e ndjekjes se turpshme të shtrigave, një fushatë masive që po e mbron pushtetin dhe tiraninë e Erdoganit dhe aspak kontribut në luftën kundër terrorizmit.
“Aktiviteti i tyre në Kosovë ka qenë legal në shkollat që janë regjistruar sipas ligjeve tona dhe nëse në Kosovë nuk kanë qenë nën hetime se janë duke zhvilluar veprimtari të rrezikshme për shtetin tonë, e as Turqia nuk ka dërguar dëshmi tjera të bindshme se ata janë “terroristë” pos se janë “gylenista”, nuk ka pse të depërtohen!”, ka shkruar Maliqi në llogarinë e vet në “Facebook”.
Postimi i plotë i Shkëlzen Maliqit:
Shpresoj se dorëzimi i drejtorëve të shkollave “Mehmet Akif” Turqisë është lajm i rrejshëm! Aktiviteti i tyre në Kosovë ka qenë legal në shkollat që janë regjistruar sipas ligjeve tona dhe nëse në Kosovë nuk kanë qenë nën hetime se janë duke zhvilluar veprimtari të rrezikshme për shtetin tonë, e as Turqia nuk ka dërguar dëshmi tjera të bindshme se ata janë “terroristë” pos se janë “gylenista”, nuk ka pse të depërtohen! Përkundrazi, duhet t’i ofrohet azili ose mundësia që të zgjedhin në cilin shtet duan të jetojnë. Nuk e paragjykoj aspak se kush janë dhe çfarë kanë bërë këta që po thuhet se do të depërtohen, por duke e ditur se me çfarë histerie regjimi i Erdoganit largoi nga puna dhe i burgosi dhjetëra mijëra “gyleniste” dyshoj se kjo është pjesë e ndjekjes se turpshme të shtrigave, një fushatë masive që po e mbron pushtetin dhe tiraninë e Erdoganit dhe jo aspak kontribut në luftën kundër terrorizmit.