Maliqi: ‘Bylbylat e regjimit të ri’ ia kanë mësyrë t’i kapin institucionet dhe t’i shtypin mediet
Politologu Agon Maliqi, ka kritikuar qasjen e Qeverisë Kurti ndaj mediave.
Ai në “Facebook” ka shkruar se “bylbylat e regjimit të ri” ia kanë mësyrë të kapin çdo institucion dhe t’i shtypin mediet.
“U dhezën analistët sepse ju ka ndalu dinari. Me siguri kështu diçka mendojnë dhe sinqerisht besojnë bylbylat e regjimit të ri, që ia kanë mësy me e kapë çdo institucion dhe me i shtyp mediet. Jetojnë në njëfarë bote paralele ku vetëm ata e duan Kosovën dhe gjithandej ku lexojnë kritikë shohin armiq – jo të tyret, por të shtetit! Mekanizëm i lehtë psikologjik për dështakun që me u ndi i vlefshëm dhe i dobishëm në jetë duke u fshehur prapa turmës dhe duke u mbështjell me flamur. Njëkohësisht edhe simptomë universale e budallës dhe fanatikut”, ka shkruar Maliqi.
Në këtë kontekst, Maliqi ka paralajmëruar pasoja nga kjo qasje e pushtetit.
“Kish me qenë zbavitëse – skenar për ndonjë film të Coen Brothers – sikur kjo gjendje e hipnozës kolektive dhe e humbjes së kujtesës historike që na ka kaplu të mos kishte pasoja. Por është deri diku tragjike. Them deri diku tragjike, sepse në fund të fundit ndalesh dhe pajtohesh se ndoshta është edhe gjendje meritore e një moçali intelektual ku sundon provincialiteti. Veçanërisht provincialiteti i Prishtinës – kësaj metropolitankës urbane ku ksenofobia është ‘cool’ dhe madje edhe mejnstrimi i shoqërisë civile është proto-fashist nën petkun antikolonial”, ka shkruar Maliqi.