Maliqi: Dialogu Kosovë – Serbi mund të zgjasë me dekada

09 janar 2018 | 16:32

Analisti politik Shkëlzen Maliqi ka thënë se, pavarësisht prej paralajmërimeve, ende nuk ka dinamikë të re në procesin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka theksuar se tërheqja nga Specialja mund ta pengojë dhe dëmtojë dialogun.

Maliqi ka treguar se ka informata për dy platforma të grupeve punuese diplomatësh, një e Berlinit dhe tjetra e Oslos por, sipas tij, këto hëpërhë mbeten spekulative se cilat janë propozimet kyçe që mund t’i kënaqnin të dy vendet.

Ai ka thënë se këto janë spekulime që shkurtojnë rrugën e përfundimit të dialogut, në të kundërtën mund të zgjasë me vite dhe dekada.

“Epoka e re”: Z. Maliqi, a prisni dinamikë të re në procesin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë gjatë këtij viti?
Maliqi: Dinamizimi i dialogut është paralajmëruar prej kohësh, por asgjë nuk ka lëvizur me muaj të tërë, të paktën jo që për këtë kemi njoftime publike. Mbase është punuar në kanalet diplomatike dhe në nivelin e ekspertizave teknike për ta përgatitur vazhdimin e dialogut, por e gjithë kjo është bërë larg syve të opinionit, sepse vlerësohej se rrjedhja në publik e propozimeve dhe informative të ndjeshme më shumë do t’i kontribuonte ngadalësimit dhe bllokimit të procesit. Serbia në ndërkohë po zhvillon procesin e dialogut të brendshëm për Kosovën dhe në stilin e diplomacisë të saj herë flet me negativitet për dështimin e dialogut dhe shtron kërkesa për ndryshimin e karakterit të dialogut e herë paralajmëron ‘marrëveshje’ historike. Nga ana tjetër presidenti Thaçi ka prioritete të tjera në agjendën e vet që mund ta pengojë dhe dëmtojë dialogun, siç është ajo e tërheqjes së përkrahjes për Gjykatën Speciale, e cila e vë në pyetje partneritetin tonë strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian. Është tejet kontradiktore që nga njëra anë kërkojmë inkuadrimin e drejtpërdrejtë të ShBA-së në dialog, kurse nga ana tjetër shfaqim ‘mosdëgjueshmëri’ ndaj ShBA-së për çështjet e Gjykatës Speciale dhe demarkacionit me Malin e Zi.

“Epoka e re”: Është paralajmëruar krijimi i një ekipi të unitetit i cili do ta udhëheqë këtë proces. Cilat janë pritjet tuaja në këtë drejtim?
Maliqi: Po, edhe kjo është temë e vjetër, por nuk kemi parë ende ndonjë hap konkret rreth kësaj. Më shumë e përmendin partitë opozitare, të cilat e refuzojnë idenë, sidomos riformatizimin e udhëheqjes së dialogut, i cili tani kalon në kompetencat e presidentëve të Kosovës dhe Serbisë. Edhe në Qeverinë e Kosovës sikur ekzistojnë zërat që nuk duan të bëhen pjesë e unitetit përderisa ky bëhet nën ombrellën e Hashim Thaçit, edhe pse nuk e thonë këtë publikisht sepse kjo rrezikon prishjen e koalicionit të brishtë që këtë qeveri e mban në pushtet. Nga ana tjetër, mendoj se ekipi i unitetit do të mund të funksionalizohej më shpejt dhe me përfaqësim më të gjerë (përjashto ekstremet sikur që është Lëvizja Vetëvendosje e disa grupe të tjera të vogla) nëse diplomacia e fshehtë arrin t’i përafrojë qëndrimet rreth projektit të një marrëveshjeje kompromisi për normalizimin dhe pajtimin në mes të Kosovës dhe Serbisë, e cila do të ishte e pranueshme për të dyja palët.

“Epoka e re”: A ka projekte të tilla dhe në çfarë konsistojnë ato?
Maliqi: Qarkullojnë informatat për dy platforma të grupeve punuese diplomatësh, një e Berlinit, dhe tjetra e Oslos, që ndoshta janë vetëm dy faza dhe dy “papers” me propozime të një procesi. Por përmbajtja e tyre nuk ka rrjedhë as në qarqet e informuara mirë, kështu që mbeten spekulative se cilat janë propozimet kyçe që do të mund t’i kënaqnin edhe Kosovën edhe Serbinë. Në mënyrë spekulative minimumi që kënaq Beogradin është implementimi i Asociacionit të Komunave Serbe me kompetenca të shtuara qoftë edhe simbolike, si dhe një shqyrtim paraprak i kufirit në mes të Kosovës dhe Serbisë, që do të mundësonte disa korrigjime të këtij kufiri pasi të nënshkruhet marrëveshja historike. Nga ana e Kosovës do të mirëpritej gjithsesi anëtarësimi i saj në OKB dhe të gjitha organizatat ndërkombëtare, praktikisht legalizimi i plotë i subjktësisë, sovranitetit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës. Kuptohet, këto që thashë janë spekulime që shkurtojnë rrugën e përfundimit të dialogut. Përndryshe, ai mund të zgjasë me vite dhe dekada, sikurse zgjasin bisedimet në mes të Palestinës dhe Izraelit, ose mes Qipros dhe Republikës Turke të Qipros.

“Epoka e re”: Duhet kushtëzuar vazhdimin e këtij procesi në mënyrë që Kosova të përfitojë diçka nga BE-ja, meqë deri më tani ka qenë Serbia ajo që ka përfituar?
Maliqi: Serbia nuk ka përfituar favore thelbësore nga procesi, por është joshur nga BE-ja që ta zgjidhë dilemën shekullore a do të lidhet me Perëndimin apo Lindjen (Rusinë). Në instancën e fundit, çka edhe dëgjohet nga zyrat e fuqive të mëdha, emisarët diplomatikë nga Serbia kërkojnë të njohë realitetin në Kosovë, nëse dëshiron të bëhet anëtare e BE-së. Kosova nuk ka opsione rezervë me të cilat do ta kushtëzonte BE-në e as ShBA-në. Ndërmarrje politike tona të pavarura, si ato rreth demarkacionit ose Gjykatës Speciale, na çojnë në izolim. Nuk kemi ndonjë aleat rezervë sikur që e ka potencialisht Serbia te Rusia. Ajo në çfarë mund të insistojë Kosova janë respektimi i rregullave dhe afateve, që procesi të ketë ecuri me agjenda të fokusuara dhe me afate të realizmit që nuk mund të ndryshohen arbitrarisht. Ajo që më brengos mua në zhvillimet e fundit është përhapja e një triumfalizmi fals i vetëmjaftueshmërisë, se Kosova mund t’ia dalë edhe me forcat e veta duke mos iu nënshtruar askujt, qoftë edhe BE-së ose ShBA-së. Kjo na çon te logjika izolacuoniste e regjimit të Enver Hoxhës, e përjetësuar në parullën “Do të hamë bari dhe nuk do t’u nënshtrohemi diktateve të jashtme!”

Shqipe HETEMI

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rezultatet jo të mira në këtë edicion nga skuadra e…