Maliqi kritikon Kuvendin për mossigurimin e pavarësisë financiare për RTK-në

11 qershor 2020 | 14:57

Ish-kryetarja e Bordit të RTK-së, Afërdita Maliqi, ka thënë se transmetuesi publik ka kohë që po vuan “papërgjegjësinë” e Kuvendit të Kosovës, duke mos i siguruar një pavarësi financiare, që do të ndikonte edhe në pavarësinë editoriale dhe vendimmarrëse.

“Me rishikim të Buxhetit të Kosovës, RTK-së duhet t’i kthehet buxheti që i është ndalë me qëllim, si një presion politik mbi Menaxhmentin, si dhe të heqet raportimi tremujor, duke pas parasysh se një raportim i tillë shfrytëzohet vetëm për poena politik. Mbikëqyrja financiare duhet të ekzistojë, por ka mekanizma tjerë, e jo një raportim kur më shumë raportuesit gjykohen, se sa dëgjohen!Kuvendi i Kosovës si themelues i Transmetuesit Publik e ka për obligim të sigurojë financim të qëndrueshëm, e jo të lë në dëshirën e ministrave të financave buxhetin për RTK, të cilët vendosin sipas preferencave”, ka shkruar Maliqi në llogarinë e vet në “Facebook”.

Postimi i plotë i Maliqit:

Radio Televizioni i Kosovës ka kohë që po vuan ‘papërgjegjësinë’ e institucionit, që është themelues, Kuvendi i Kosovës, duke mos i siguruar një pavarësi financiare, që do të ndikonte edhe në pavarësinë editoriale dhe vendimmarrëse.

Pavarësisht dy iniciativave që ka pasur në dy legjislaturat e kaluara për draftimin e ligjit, megjithatë nuk është arritur të finalizohet, sepse nuk ka pas vullnet politik dhe aq më keq, partitë opozitare ligjin e kanë lidh me persona individual, duke e lënë kështu institucionin e vetëm publik medial pa financim të qëndrueshëm dhe objekt.

Edhe me keq, dy partitë që kanë bojkotuar votimin e ligjit, në qeverisjen e përbashkët të shkurtër, dëmtuam edhe më shumë Transmetuesin Publik, duke ja shkurtuar edhe më buxhetin, edhe ashtu të pamjaftueshëm për rrethanat e reja teknologjike.

Në seancën e vonshme, ku është votuar Ligji për buxhetin, nuk kam dëgjuar asnjë deputetë shqiptarë të pyet pse RTK-së i është shkurtuar buxheti, përveç deputetit nga komuniteti turk, Fikrim Damka, që as ai nuk e mori përgjigjen.

Me rishikim të buxhetit të Kosovës, RTK-së duhet t’i kthehet buxheti që i është ndalë me qëllim, si një presion politik mbi menaxhmentin, si dhe të heqet raportimi tremujor, duke pas parasysh se një raportim i tillë shfrytëzohet vetëm për poena politik. Mbikëqyrja financiare duhet të ekzistojë, por ka mekanizma tjerë, e jo një raportim kur më shumë raportuesit gjykohen, se sa dëgjohen!

Kuvendi i Kosovës si themelues i Transmetuesit Publik e ka për obligim të sigurojë financim të qëndrueshëm, e jo të lë në dëshirën e ministrave të financave buxhetin për RTK, të cilët vendosin sipas preferencave.

Po ashtu, është shumë imediate që Kuvendi i Kosovës dhe deputetët të kryejnë procedurat e përzgjedhjes së Bordit të RTK-së, duke e ditë që ka mbi 6 muaj që RTK s’ka bord funksional, e si rrjedhojë shumica e pozitave menaxhuese funksionojnë me ushtrues detyre.

https://www.facebook.com/aferdita.maliqi/posts/10221201485882213

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar sot në Kuvendin e Kosovës nismën…