Maliqi: Kurti s’ka më kredibilitet për të vendosur kushtëzime në dialog, jemi në prag të sanksioneve nga ShBA-ja dhe BE-ja
Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian (BE), Josep Borrell, në konferencën e mbajtur për media pas takimeve që ka pasur me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, ka kërkuar lirimin e tre policëve të kidnapuar nga Serbia, një javë më parë në veri.
Se nuk mund të vazhdohet tutje pa lirimin e tre policëve, ka deklaruar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
“Pa largimin e tre djemve shëndoshë e mirë nga Serbia, nuk ka hapësirë për të bërë asnjë centimetër përparim të vërtetë! Sapo të kthehen në shtëpi, nevojitet një veprim i ri i fortë i Francës dhe Gjermanisë për të ndaluar këtë spirale absurditeti! Por gjëja e parë në radhë të parë: lironi tre policët”, ka shkruar Rama në “Twiterr”.
Ndërsa publicisti i njohur, Shkëlzen Maliqi, ka thënë kryeministrit Kurti nuk i ka mbetur më kredibilitet për të vendosur kushtëzime në dialog.
Maliqi ka theksuar se taktikat e tij për “zhagitjen” e dialogut përmes kushtëzimeve nuk kanë sjellë asnjë dobi.
Ai ka thënë se tashmë jemi në prag të sanksioneve nga BE-ja dhe ShBA-ja.
“Kryeministrit Albin Kurti nuk i kanë mbetur më kredibitet për kushtëzimin e dialogut. Edhe ashtu taktikat e tij për ‘zhagitjen’ e dialogut përmes kushtëzimeve nuk kanë sjell asnjë dobi por vetëm ndëshkime. Tash jemi në prag të sanksioneve nga BE-ja dhe SHBA-të”, ka thënë Maliqi, duke shtuar se Kurti duhet të punojë për riparimin e raporteve me aleatët.
“Përndryshe, lirimi i tre policëve të rrëmbyer është bërë kërkesë e faktorëve ndërkombëtarë, ata bëjnë presion në Beogradin për lirim pa kusht, kështu që tani më është bërë parakusht për deeskalim të situatës, Kryeministri Kurti, nëse i ka mbet edhe një ‘trohë’ nacionaliteti pragmatik do të duhet të kujdeset për kthimin e besimit dhe riparimin e raporteve koordinuese me aleatët strategjik që i ka dëmtuar vetë në masën e madhe duke i përqeshur ose duke ua mbajtur derse strategjike politike e moralizuese liderëve të superfuqive botërore”, ka thënë Maliqi për gazetën “Blic”.
Lirimi i tre policëve të kidnapuar, mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme në veri dhe tërheqja e njësive speciale nga objektet komunale, ishin disa nga kërkesat e Borrellit në takimin disa-orësh të mbajtur me kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiq në Bruksel.