Maliqi largohet pas katër vjetësh nga Feronikeli
Behar Maliqi edhe zyrtarisht është larguar nga skuadra e Feronikelit. Lajmin për largim pas katër vjetësh nga skuadra e Feronikelit e ka bërë vetë futbollisti, i cili pas asnjë dyshim është ndër më të mirët në futbollin e Kosovës.
Maliqi ka qenë njëri prej më meritoreve që Feronikeli ka arritur disa suksese radhazi në futbollin e Kosovës, kurse në kohet e fundit ishte edhe kapiten i kësaj skuadre.
“Nuk do të jem më pjesë e klubit KF Feronikeli. Në këtë klub kalova katër vite të mrekullueshme, me shumë suksese, si në aspektin ekiporë ashtu edhe atë personal. Gjatë kësaj periudhe arritëm të shpallemi dy herë kampion të Kosovës, një herë fitues i Kupës, dhe një herë fitues i Superkupës, gjithashtu ishim në dy finale të Superkupës. Për këto suksese dua t’i falënderoj kryesinë e vjetër, të cilët janë njerëzit më profesionist që kam punuar në futbollin tonë, për punën profesionale dhe korrektësinë e treguar”, ka thënë Maliqi, duke shtuar se: “Po ashtu të gjithë trajnerët që i kisha gjatë këtyre katër viteve. I falënderoj të gjithë bashkëlojtarët për vitet që kaluam bashkë dhe sukseset që i arritëm, fituam të gjitha trofetë në futbollin tonë, gjë që tregon se kemi qenë si një familje. Një falënderim shumë të veçantë dua t’iu bëjë tifozëve “Tigrat e Zi” dhe qytetarëve të Drenasit, për përkrahjen që më dhatë gjatë gjithë kohës – do t’ju jem mirënjohës gjithmonë. Gjithashtu dua të falënderoj kryetarin e ri për korrektësinë e treguar, dhe ju dëshiroj shumë suksese”.
/Epoka e re/