Maliqi: Pala që nuk pranon kompromise ndëshkohet, kështu ka qenë edhe në Rambuje
Nevoja për përshpejtimin e marrëveshjes Kosovë – Serbi është bërë urgjencë e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës që nga shpërthimi i luftës në Ukrainë, ka thënë për Albanian Post, filozofi dhe publicisti, Shkelzen Maliqi, kështu duke konfirmuar në një farë mënyre skenarin e para-marrëveshjes Kosovë-Serbi e publikuar nga Albanian Post, i cili parasheh që deri në fund të shkurtit të ketë një pajtim të palëve për rrugën përpara.
Sipas Maliqit propozimi i ndërkombëtarëve që marrëveshja e parë në kuadër të dialogut të arrihet deri më 24 shkurt të vitit 2023, në vetvete nuk është thjesht një simbolikë, por sepse në atë datë pritet zgjerimi i konfliktit mes Ukrainës dhe Rusisë.
“Ky parashikim ka shtruar nevojën e Perëndimit që të sigurojë paqen dhe sigurinë në Ballkan si parakusht që e tërë Evropa të jetë e bashkuar dhe pa zona ku Putini mund të provokojë, përmes satelitëve të vetë në Serbi dhe Republika Srpska, me destabilizime shtesë të gjendjes”, ka argumentuar ai për Albanian Post.
Prandaj mu për këtë arsye marrëdhëniet Kosovë-Serbi, shpjegon Maliqi, nuk janë më çështje të brendshme e këtyre dy shteteve, por çështje e kohezionit strategjik të Perëndimit.
Sipas këtij skenari të publikuar nga Albanian Post, nëse palët refuzojnë të pajtohen për fillimin e rrugëtimit konkret drejtë fazës së fundit për pajtim final, atëherë ka një “shkop të rëndë” për palën penguese në këtë rast.
E për Maliqin ky “shkop i rëndë”, është shumë e natyrshme në këtë fazë, pasi që ndërmjetësuesit tashmë e kanë të qartë kokëfortësinë dhe dredhitë e Kurtit dhe Vuçiç’it.
“Diplomacia perëndimore e di se pa kërcënime me ndëshkim, marrëveshja nuk mund të arrihet. Pala që nuk pranon kompromise, ndëshkohet. Kështu ka qenë edhe me marrëveshjen e Rambujes edhe me negociatat e Vjenës. Në të dy rastet Perëndimi ka ofruar zgjidhje kompromise, Serbia nuk i ka pranuar, Kosova po, andaj Serbia është ndëshkuar kurse Kosova ka dal përfituese”, ka deklaruar ai për Albanian Post.
Megjithatë Maliqi ka frikë se gjithë këtë mes, humbës do del Kosova, duke marrë parasysh që në krye të Qeverisë është njeriu i cili ka qenë kundër kompromiseve në Rambuje dhe Vjenë, i cili sot e kësaj dite vazhdon me qëndrime dyshuese dhe mohuese për propozimet aktuale që në thelb kanë kompromisin.
“Kurti, është mjaft kokëfortë rreth mospranimit të Asociacionit, nuk e do as në variantin e zbutur që nuk e cenon funksionalitetin e shtetit. Dhe kjo për herë të parë mund të sjell ndëshkimin e Kosovës, çka do të thotë se pavarësia e shpallur e vitit 2008 do të mbetet e vyer, pa përkrahjen më të gjerë, jo vetëm me pengesë të 5 vendeve mos njohëse anëtare të BE, por edhe me ftohje nga aleatët kryesor – SHBA-ja, Britania e Madhe dhe Franca”
Prandaj, Maliqi mendon se në këtë fazë komuniteti ndërkombëtarë është mjaftë pragmatistë, marrë parasysh se të dyja palët kanë probleme të brendshme, pasi që me vite të tëra te popullata kanë ushqyer aspirata maksimaliste.
“Dilema a na duhet marrëveshja e shpejtë apo ajo në faza më duket artificiale. Propozimi aktual është kombinim i shpejtësisë e pajtimit të kornizës funksionale me pranimin e ecjes drejt zgjidhjes afatgjate, ndoshta edhe 5 ose 10 vjeçare, me faza të kontrolluara. Esenciale për momentin është ky trasim obligues i rrugës drejt zgjidhjeve afatgjate dhe finale me karotat e shkopinjtë që kushtëzojnë zhvillimet mes fazave deri te njohja e plotë e ndërsjellë”.
Një ditë më parë Albanian Post, nga burime diplomatike ka siguruar skenarin e prezantuar për para-marrëveshjen Kosovë-Serbi. Pajtimi i parë sipas këtij skenari duhet të arrihet më së largu deri më 24 shkurt.
Serbia në këtë fazë s’ka nevojë ta ndryshojë Kushtetutën e saj. Njëjtë, Kosova duhet ta themelojë Asociacionin, por pa e ndryshuar Kushtetutën. Asociacioni nuk do të jetë një OJQ, megjithatë, për momentin, nuk do të themelojë nivel të ri të pushtetit.
Projekti është hartuar me kujdes dhe është gjetur një rrugë e re “ku secila palë ruan mirazhin e pozicionit të vet parimor”.
“Palët do të kenë shumë përfitime, në afat të mesëm dhe të gjatë”, nëse bëhen pjesë e këtij plani të ri ndërkombëtar, por po ndodhi e kundërta është treguar “edhe një shkop shumë i ashpër”, për këdo që nuk tregohet konstruktiv në këtë fazë.
Siç e ka thënë edhe Escobar në konferencë për media me Kurtin, “Kosova duhet të kuptojë implikimet rajonale” që vijnë me pozicionimin e tyre.
Prandaj, “zgjedhja është e Kosovës dhe Serbisë” të vendosin se cila do jetë rruga para.
Nëse palët refuzojnë të pajtohen për skenarin përpara dhe refuzojnë fillimin e rrugëtimit konkret drejt fazës së fundit për pajtim final, ndërkombëtarët kanë parashikuar edhe një skenar alternativë, ku do ta merrnin procesin krejtësisht në dorën e tyre.
Në Prishtinë dhe Beograd tashëm u është thënë se duhet ta kenë të qartë që “kjo përpjekje dallon nga dinamika e deritashme e dialogut”.
Fuqitë ndërkombëtare e kanë një referencë se si do të mund ta përshpejtonin arritjen e një pajtimi, duke i larguar liderët dhe ekipet negociatore nga komfort-zona e tyre dhe mbledhur në një vend të gjitha palët, për të dalur me një marrëveshje brenda ditësh.
Siç dihet, Marrëveshja e Dejtonit (1995) ishte arritur pikërisht në këtë formë, kur përkundër se elementet bazike të një pajtimi ishin propozuar vite më parë, me idenë që të parandalohej shpërthimi i luftës, diçka e tillë nuk kishte ndodhur dhe negociatat kishin dështuar.