Maliqi për letrën e Gërvallës: Qeveria jeton në një univers paralel, kjo do të trajtohet nga aleatët si tallje me ta
Analisti Agon Maliqi, ka komentuar letrën e kryediplomates, Donika Gërvalla dërguar në udhëheqësin e Këshillit të Evropës, për përgatitjen e statutit të Asociacionit dhe dërgimin në Gjykatën Kushtetuese.
Maliqi ka thënë se Qeveria e Kosovës jeton në një “univers paralele”, duke shtuar se “mendon se shtetet e perëndimit mundet me i ‘folliratë’ si militantët”
Ai këtë veprim po e sheh si një tallje me aleatët.
“Qeveria e Kosovës jeton në një univers paralel ku mendon se shtetet e perëndimit mundet me i ‘folliratë’ si militantët. Kushdo që ka studiuar marrëdhënie ndërkombëtare besoj se ka bërë “simulime”, ku studentët luajnë role shtetesh dhe shpesh krijohen skenare jorealiste. Kosova sot po qeveriset si simulim studentësh. I patëm 2+ vjet si shtet për ta dërguar draftin tonë maksimalist të Asociacionit. Tash kur efektivisht u mbyll hapësira e dialogut dhe u humb mundësia për t’u bërë diçka më serioze gjatë administratës Biden, madje edhe u mbyll dera për Këshill të Evropës sivjet, qeveria del me një manovër se ‘do ta dërgojmë draftin e bazuar në FES deri me 31 maj’. Kjo do të trajtohet nga aleatët si tallje me ta”, ka shkruar Maliqi në “Facebook”.