Maliqi përgëzon PDK-në e LDK-në: Përpjekje për të hapur një kapitull të ri
Agon Maliqi, analist dhe aktivist i shoqërisë civile, ka shkruar një status, në të cilin ka komentuar parafushatën e partive opozitare.
Maliqi ka përgëzuar PDK-në dhe LDK-në për qasjen në parafushatën e tyre.
Ai ka pasur edhe një këshillë karshi partive opozitare, duke kërkuar që ato të tregojnë troç se për çfarë qëndrojnë.
“Nuk po pajtohem me disa kolegë të mediave se qasja e opozitës në fushatë duhet të jetë agresive ndaj qeverisë dhe shënjestruese dhe personalizuese ndaj Kurtit. Çfarëdo pakënaqësie që ekziston është tashmë e përllogaritur dhe votuesit në këtë kohë kërkojnë zgjidhje dhe vizion pozitiv. Me helm dhe negativitet përballen çdo ditë. Kështu që pas këtyre tubimeve të para të PDK-së e LDK-së, përgëzime partive opozitare për qasjen e zgjedhur, për përpjekjen për ta hapur një kapitull të ri dhe për të mos luftuar në terrenin polarizues të paracaktuar nga LV-ja. Sidoqoftë, aty ku nga opozita nevojitet agresivitet është mbajtja e qëndrimeve të forta për temat kryesore në të ardhmen dhe jo fshehja apo gjuha përgjithësuese të cilën votuesit do ta lexojnë si kalkuluese. Thuajeni troç dhe me bindje se për çka jeni edhe në temat e mëdha të sigurisë sepse njëfarë vije ndarëse duhet të vizatohet. Sa i përket perspektivës së Kosovës për në BE dhe NATO këto zgjedhje realisht janë një referendum: qasja e LV-së çon drejt izolimit, po e juaja ku do të çojë?”, ka shkruar Maliqi në “Facebook”.