Maliqi: Përplasja Perëndim-Rusi, nuk guxon ta gjejë Kosovën të kacafytur me aleatë
Analisti Agon Maliqi ka deklaruar se dështimi i negociatave mes Pendimit dhe Rusisë për çështjen e Ukrainës mund të nxit përshkallëzim të thellë të luftës në Ukrainë.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se presidenti rus Vladimir Putin si pjesë të strategjisë e ka hapjen e fronteve të reja trazuese ndaj interesave të perëndimit.
Sipas tij, Ballkani, me tre shtete që nuk janë anëtare të NATO-s mbetet ndër pikat më të brishta. “Ky kontekst tejet i trazuar gjeopolitik nuk guxon ta gjejë Kosovën të kacafytur me aleatë për çështje që janë dytësore në raport me pasqyrën e përgjithshme të zhvillimeve”, ka shkruar Maliqi.
Postimi i plotë i Maliqit:
Pas dështimit të negociatave mes perëndimit dhe Rusisë këtë javë në serinë e takimeve në Gjenevë, Bruksel dhe në Vjenë, gjasat janë rritur shumë për një përshkallëzim të thellë të luftës në Ukrainë. Kjo do të prodhojë pasoja të shumëfishta ekonomike (thellim të krizës së energjisë) por edhe politike në mbarë Evropën. Vlerësimi i shumicës së analistëve është se Putin nuk do të mjaftohet me aktivitetin në Ukrainë, por si pjesë e strategjisë do të synojë të hap edhe fronte të reja trazuese ndaj interesave të perëndimit. Ballkani, me tre shtete që nuk janë anëtare të NATO-s dhe i ngërthyer në konflikte etnike ose dypalëshe, mbetet ndër pikat më të brishta. Dodik në Bosnje dhe Hercegovinë nuhati mundësinë e përshkallëzimit paralel me Rusinë në Ukrainë kur para një muaji i dha kuvendit të Republika Srpskas afat gjashtë mujor për tërheqje nga institucionet qendrore, në përpjekjen e tij për ta prodhuar në Bosnje një variant të Transnistrias me mbështetje të Putinit, hap ky i cili rrezikon ta rihapë luftën në Bosnje. Ky kontekst tejet i trazuar gjeopolitik nuk guxon ta gjejë Kosovën të kacafytur me aleatë për çështje që janë dytësore në raport me pasqyrën e përgjithshme të zhvillimeve.