Maliqi: Platforma, autorizim për finalizimin e dialogut
Analisti politik Shkëlzen Maliqi ka thënë se platforma shtetërore për finalizimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë në esencë është autorizim për vazhdimin e dialogut në formatin e ri, që udhëhiqet nga presidenti i vendit, por që obligohet të bashkëpunojë ngushtë edhe me kryeministrin dhe me gjithë spektrin politik.
“Kjo platformë po kështu shkurtimisht përkujton objektivat kryesore në procesin e finalizimit: autorizohet zhvillimi i bisedave politike për arritjen e marrëveshjes ligjore ndërkombëtarisht të obligueshme që, pos normalizimit të raporteve Kosovë – Serbi, duhet të përfundojë edhe me njohjen reciproke të dy shteteve që nuk cenojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës”, ka thënë Maliqi për gazetën “Epoka e re”
Ai ka shtuar se po kështu, si rrjedhojë, delegacioni i Kosovës obligohet që në marrëveshje të përfshihet edhe anëtarësimi i Kosovës në OKB, pra njohja e plotë ndërkombëtare e Kosovës.
“Presidenti, të cilit i njihet roli udhëheqës në finalizimin e dialogut, obligohet të raportojë në baza të rregullta Kuvendit të Kosovës dhe, në paragrafin e fundit, konstatohet se autoriteti suprem për finalen e dialogut, përkatësisht marrëveshjen politike, mbetet Kuvendi i Kosovës, i cili edhe duhet ta ratifikojë marrëveshjen”, ka deklaruar Maliqi .
Ai ka theksuar se kjo platformë është një dokument i parimeve që vendos vijat e kuqe të objektivave, por nuk jep shumë elemente të zgjidhjeve konkrete të çështjeve siç është Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.
“Për këtë supozohet se mjaftojnë vërejtjet e Gjykatës Kushtetuese, që në shumë aspekte e kanë kritikuar formulimet në platformën për Asociacionin e Komunave Serbe, që kufizojnë aspiratat e Beogradit që AKS të ketë ingerenca ekzekutive vetjake. AKS duhet të jetë organ konsultativ, koordinues dhe që parashtron ankesa për cenimin e të drejtave të komunitetit serb në Kosovë, gjithnjë në kuadër të subordinimit institucional, sistemit dhe normave kushtetuese të Republikës së Kosovës. Ky dokument është i qartë rreth vijave të kuqe që mbrojnë sovranitetin dhe integritetin e Republikës së Kosovës”, është shprehur Maliqi.