Maliqi: Posti i presidentit assesi nuk mund t’i takojë LDK-së
Analisti politik Shkëlzen Maliqi ka thënë se në esencë posti i presidentit nuk do të duhej t’i takonte asnjë partie, sepse sipas frymës së Kushtetutës, në momentin që propozohet cilido kandidat ai nuk duhet të jetë anëtar partie.
Maliqi përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se posti i presidentit në vitin 2021, assesi nuk mund të jetë i LDK-së. “Dhe këtë nuk mund ta pretendojë as sot”, ka shkruar Maliqi.
Postimi i plotë i Maliqit:
RRETH PRESIDENTIT
Në esencë posti i presidentit nuk do të duhej t’i takonte asnjë partie, sepse sipas frymës së Kushtetutës, në momentin që propozohet cilido kandidat ai nuk duhet të jetë anëtar partie, cilado qoftë ajo, ose të paktën duhet të jetë i dorëhequr nga partia. Në këtë kuptim posti i presidentit në vitin 2021, assesi nuk mund të jetë i LDK-së. Dhe këtë nuk mund ta pretendojë as sot. Mund të kërkojë përparësi në propozimin e kandidatit apartiak dhe koncensual për president, kjo është e arsyetueshme. Nëse LDK-ja e pat bërë në vitin 2004 pazarin paraprak me PDK-në që Hashim Thaçit t’i rezervohet zgjedhja për president, sot nuk e ka partnerin që bën keso pazare, kështu që e ka më mirë të kënaqet me ndarjen e dakorduar të posteve sesa të rrezikojë përsëritjen e zgjedhjeve, në të cilat mund të dalë shumë me keq se më 6 tetor.