Maliqi reagon ndaj akuzave rreth konkursit për drejtor të përgjithshëm të RTK-së

21 dhjetor 2018 | 17:36

Kryetarja e Bordit të Radio Televizionit të Kosovës (RTK), Aferdita Maliqi, ka reaguar ndaj akuzave për mostransaprencë në lidhje me konkursin për drejtor të përgjithshëm të transmetuesit publik.

Ajo nëpërmjet llogarisë se vet në “Facebook”, ka shkruar se Bordit i RTK-së është duke kryer punën e vet bazuar në Ligjin për Radio Televizionin e Kosovës në një proces transparent.

Maliqi ka bërë me dije se për të hequr çdo dilemë në raport me këtë proces i është drejtuar me një letër Ambasadës së Britanisë së Madhe.

Postimi i plotë i Maliqit:

Kohëve të fundit Bordi i RTK-së, pa të drejtë, po akuzohet për mostransparencë në procedurën e konkursit për zgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së, e veçanërisht se nuk e ka përfshirë Ambasadën Britanike në këtë proces, me arsyen se kjo pozitë është pjesë e Marrëveshjes mes Kuvendit dhe Ambasadës Britanike në Prishtinë.

Për të qenë të hapur me veten dhe me publikun, pasi ne si Bord nuk kemi pas një njoftim zyrtar që kjo pozitë është e përfshirë, unë kam kërkuar Memorandumin nga Kuvendi, ndërkaq edhe pas marrjes së MEMO-s nga Kuvendi, sot ju kam drejtuar drejtpërdrejtë Ambasadës.

Bordit i RTK-së është duke kryer punën e vet bazuar në Ligjin Nr. 04/l-046 për Radio Televizionin e Kosovës në një proces transparent.

Letra ime si kryetare e Bordit dërguar Ambasadës Britanike në Prishtinë:

Të nderuar,

Jam Afërdita Maliqi, kryetare e Bordit të Radio Televizionit të Kosovës. Arsyeja pse po ju shkruaj ka të bëjë me konkursin për Drejtor të Përgjithshëm të RTK-së. Para disa dite ne kemi vendosur për të rishpallur konkursin për Dejtorin e Përgjithshëm të RTK-së, për shkak se kandidatët nuk i plotësonin kriteret për këtë pozitë.

Pas anulimit të konkursit, ka pasur zëra që na kanë kritikuar ne si Bord, pse e kemi anashkaluar Ambasadën Britanike, të cilët do ta monitoronin procesin. Edhe në raportimin në Komisionin parlamentar për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, me datë 17.12.2018, na është thënë se me Memorandumin e Mirëkuptimit (MM), të nënshkruar ndërmjet Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës, përzgjedhja e Drejtorit të Përgjithshëm të Radio Televizionit të Kosovës (RTK) është pjesë e pozitave të listuara aty.

Meqenëse deri në atë ditë ne nuk kemi pasur asnjë njoftim zyrtar, që pozita e Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së është e përfshirë, më datë 18 dhjetor 2018, unë kam kërkuar nga Sekretaria e Kuvendit të më dërgojë Memo, dhe në pikat: 9.1 Head of Board of RTK dhe 9.2 Board Members of RTK, vërejtëm se në të përfshihet vetëm përzgjedhja e Kryetarit dhe anëtarëve të Bordit të RTK-së.

Mesa e kuptuam nga lista e bashkangjitur MM, aty janë të përfshira pozitat të cilat emërohen nga Kuvendi i Republikës së Kosovës (përfshirë edhe Bordin e RTK-së). Ndërsa, Kryetari i Bordit zgjedhet sipas procedurës së përcaktuar në Ligjin për RTK, Neni 30, para. 11, 12 dhe 13. Ndërsa, përzgjedhja e Drejtorit të Përgjithshëm të RTK po ashtu është e rregulluar përmes Ligjit Nr. 04/l-046 për Radio Televizionin e Kosovës, Nenit 32.

Ne si Bord nuk e kemi anashkaluar Ambasadën, por në bazë të dokumentit që e kemi (të cilin po ua bashkangjes), marrëveshja mes Institucioneve të Kosovës dhe Ambasadës Britanike parasheh montorimin e procesit të zgjedhjes së kryetarit të Bordit dhe anëtarëve të Bordit.

Ne askund në atë dokument nuk kemi parë që duhet të monitorohet edhe procesi i përzgjedhjes së Drejtorit të Përgjithshëm. Prandaj, do të na ndihmonit shumë nëse na ktheni një përgjigje rreth kësaj çështjeje para se ta rishpallim konkursin për Drejtor të Përgjithshëm.

Bordi i RTK-së është i përkushtuar që të ketë një transparencë në procesin e zgjedhjes së Drejtorit të Përgjithshëm.

Me respekt,

Afërdita Maliqi
Kryetare e Bordit të RTK-së

/Epoka e re/

https://www.facebook.com/photo.php?fbid=10216744175092229&set=pcb.10216744199732845&type=3&theater

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dy takime të luajtura në NBA, me Miamin që mundi…