Publicisti Agon Maliqi i cili ditë më parë kishte shkruar se Serbisë i konvenon zbrasja e veriut nga serbët lokal, e ka vazhduar këtë argument me një sqarim shtesë.
Maliqi ka shkruar se edhe Rusisë e edhe Serbisë u konvenon politika “sovraniste” me të cilën po operon qeveria Kurti, por sipas tij NATO-ja e di këtë gjë, prandaj në po na mbron nga budallallëku ynë.
Sqarimi i plotë i Maliqit:
SQARIME SHTESË
Hipotezën time dhe të disa të tjerëve se Vuçiq përfiton nga eksodi i serbëve disa po e kundërshtojnë me argumentin se me largimin e serbëve, Serbia e humb asetin e saj kryesor për ndikim në Kosovë. Së dyti, thonë kritikët, Serbia për shkak të popullsisë serbe ka ambicie territoriale në veri dhe e ka për objektiv me çdo kusht Asociacionin ose ndarjen.
Në te dyja rastet, përgjigja është: jo detyrimisht. Madje, ky lloj argumentimi i keqkupton dinamikat dhe interesat kryesore. Në rrethanat e reja Serbisë nuk i duhen as serbët e Kosovës dhe as territori për t’i arritur synimet e saj. Sepse në këto synime të saj Kosova nuk është prioritet kryesor por thjesht instrument.
Së pari, Serbia më shumë ka ndikim në Kosovë duke mos na njohur dhe duke na e mbajtur peng njohjen prej shteteve anëtare të NATO dhe BE, të cilat nuk do të na njohin pa marrëveshje me Serbinë. Për ta pasur këtë ndikim paralizues, Serbisë nuk i duhen serbët e Kosovës. Zhetonin e njohjes/mosnjohjes Serbia do ta mbante në marrëdheniet me perëndimin me ose pa serbët këtu – madje pa serbët do të viktimizohej dhe do ta mbante më gjatë.
Së dyti, Serbia me shumë kënaqësi do t’i shkëmbente ambiciet territoriale në veri të Kosoves me ato në Bosnje (territor dhe popullësi shumëfish më e madhe) si dhe me ruajtjen e ndikimit përcaktues në Mal të Zi me daljen e tij në det.
Se rrymat pro-ruse në Serbi dhe Moska po e kërkojnë skenarin e eksodit nga veriu duke krijuar paralele me Nagorno-Karabahun, këtë e dëshmon edhe retorika gjatë vizitës së Vulin në Moskë ku mesazhi kryesor ka qenë: “në Kosove shqiptarët po kryejnë spastrim etnik”. Interesi i tyre është qe opinionit publik në Serbi t’i thuhet se serbët në Kosovë u përzunë para syve të NATO-s dhe se perëndimi nuk arriti t’i mbrojë, duke e thelluar kështu Serbinë ne pozicion pro-rus.
Propaganda e tillë zakonisht u paraprin veprimeve në terren dhe krijimit te pretekstit për incidente si dhe situatave të cilat e përmbushin narracionin. Në këtë kuptim, krejt çka i duhet Serbisë dhe Rusise në ketë moment eshte që qeveria e Kosovës të vazhdojë me yryshin sovranist drejt veriut, thellimin e krizës sociale në mesin e serbëve dhe me qasjen konfrontuese me aleatët. Këtë situatë më së miri po e kupton NATO-ja, e cila në veri po na mbron prej budallakisë sonë.