Maliqi: Vetëvendosja me Shpend Ahmetin dhe grupin që u nda do ta kishte fitoren dërrmuese më 6 tetor
Analisti politik, Shkëlzen Maliqi, ka komentuar deklaratën e Glauk Konjufcës, se LV-ja me LDK-në do të arrinte “fitore dërrmuese” në zgjedhjet e 6 tetorit.
Maliqi përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se Lëvizja Vetëvendosja me Shpend Ahmetin dhe grupin që u nda do ta kishte fitoren dërrmuese më 6 tetor.
Postimi i plotë i Maliqit:
Glauk Konjufca po thotë sot se LVV në koalicion me LDK-në do të arrinte “fitore dërrmuese ” në zgjedhjet e 6 tetorit. Po të kthehemi te janari i vitit të kaluar Glaukut do të duhej t’i kujtohet se ka qenë ai deri në momentet e fundit negociatori me Shpend Ahmetin për gjetjen e kompromisit që LVV-ja të mos përçahet, për çka Shpendi ishte i pajtimit, pa e vënë në pyetje lidershipin e Albin Kurtit.
Çështja është se me Shpend Ahmetin dhe grupin që u nda, ose më saktë, u përjashtua, LVV do ta kishte sot pothuajse të parashkruar “fitoren dërrmuese” me 6 tetor, dhe këtë duke garuar si subjekt i vetëm, pa LDK-në.
Një mësim kuptimplotë i real-politikës, që LVV po duhet t’i kuptojë gjatë rritjes me zig-zage.