Maliqi: Vizita e kryeministrit malazez i kontribuon zgjidhjes së demarkacionit

13 shkurt 2018 | 14:57

Njohësi i proceseve politike në vend, Shkëlzen Maliqi, ka thënë se këto ditë në koalicionin qeverisës ka pasur përpjekje që të tejkalohet ngërçi sa i përket çështjes së demarkacionit me Malin e Zi.

Ai ka pohuar se ka pasur edhe kontakte me Podgoricën që të gjendet një solucion që Qeverinë dhe Haradinajn e nxjerrin “faqebardhë”.

Në këtë kontekst, Maliqi ka shprehur optimizëm se vizita e paralajmëruar për të mërkurën në Kosovë e kryeministrit të Malit të Zi, Dushko Markoviq, mund t’i kontribuojë zgjidhjes së çështjes së demarkacionit.

“Besoj se do të mund të kontribuojë sepse në ndërkohë edhe në koalicionin aktual qeverisës ka pasur përpjekje që të tejkalohet ngërçi dhe ka pasur edhe kontakte me Podgoricën që të gjendet një solucion që Qeverinë aktuale dhe Haradinajn e nxjerrin ‘faqebardhë’. Vizita e kryeministrit Markoviq uroj të jetë shenjë e kultivimit të marrëdhënieve më të mira fqinjësore me Malin e Zi”, ka deklaruar Maliqi në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”.

Ai ka vlerësuar se nëse Kosova do të këmbëngulë rreth “humbjes së territorit” nuk do t’i prishte marrëdhëniet vetëm me Malin e Zi, por edhe me një pjesë të madhe të bashkësisë ndërkombëtare, përkatësisht me vendet që kanë ndihmuar më së shumti pavarësimin dhe afirmimin e shtetit të Kosovës.

“Nëse Kosova do të mbetej këmbëngulëse rreth ‘humbjes së territorit’ nuk do t’i prishte marrëdhëniet vetëm me Malin e Zi, por edhe me një pjesë bukur të madhe të bashkësisë ndërkombëtare, dhe pikërisht me vendet që kanë ndihmuar më së shumti pavarësimin dhe afirmimin e shtetit të Kosovës. Uashingtoni dhe Brukseli tërë kohën kanë pohuar se kufiri është në rregull dhe e kanë ftuar Kuvendin e Kosovës ta ratifikojë marrëveshjen. Së fundi kemi shenja të këndelljes së liderëve kokëfortë jo vetëm rreth ratifikimit të demarkacionit, por edhe rreth Gjykatës Speciale, që edhe më shumë rrezikonte ‘rebelimin’ absurd të politikës së Kosovës ndaj tutorëve tanë perëndimorë”, është shprehur Maliqi.

Maliqi në këtë intervistë ka folur edhe për 10-vjetorin e pavarësisë së Kosovës, me ç’rast ka thënë se vendi ynë sot është më i përparuar se në vitin 2008.

Megjithatë, ai ka theksuar se ndërtimi dhe ngritja e Kosovës është proces kompleks.

Pavarësisht prej lëshimeve dhe dobësive, Maliqi ka thënë se Kosova është storie suksesi dhe jo dështimi.

“Në pikat e shkurtra, për dallim nga skepticizmi dhe vlerësimet edhe në opinionin tonë, se ‘shteti i Kosovës është një dështim’, që është slogan që e përsërisin si papagallët propagandistët e Rusisë, të Serbisë dhe të vendeve të tjera armike të Kosovës, unë mendoj se e vërteta është më afër atij slogani tjetër që vjen nga ShBA-ja, që thotë se ‘Kosova është storie e suksesit’!”, ka deklaruar Maliqi.

“Epoka e re”: Z. Maliqi, është paralajmëruar se të mërkurën Republikën e Kosovës do ta vizitojë kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq. Çfarë do të thotë kjo vizitë për shtetin e Kosovës, kur dihet se me Malin e Zi kemi një temë të papërfunduar?
Maliqi: Vizita e kryeministrit Markoviq uroj të jetë shenjë e kultivimit të marrëdhënieve më të mira fqinjësore me Malin e Zi. Tema e papërfunduar, siç e quajtët ju, është e tillë për neve kosovarët, sepse kemi konteste të brendshme rreth kufirit të Kosovës me Malin e Zi, se ku ka qenë ai më 31 dhjetor të vitit 1989. Në vitin 2015 Qeveria e Kosovës e ka nënshkruar marrëveshjen e demarkacionit, të cilën Kuvendi i Malit të Zi edhe e ka ratifikuar, kurse në Kosovë është ngritur pakica opozitare kundër kësaj marrëveshjeje, është bllokuar edhe vetë puna e Kuvendit me gaz lotsjellës, me pretekstin se ‘Kosova me marrëveshjen humbet 8 mijë hektarë të territorit’. Qeveria e mëhershme e Isa Mustafës nuk arriti ta zgjidhë këtë problem, madje nuk e procedoi çështjen në Kuvend, kurse Qeveria e Haradinajt, i cili ka qenë kampion i kundërshtimit të demarkacionit, ndër aktet e para që ndërmori ka qenë zëvendësimi i komisionit që pajtoi demarkacionin, me një komision që udhëhiqej nga kundërshtarët e marrëveshjes. Puna e këtij komisioni doli blof dhe skandal, sepse më parë ata pohonin se i kanë të gjitha argumentet se Kosova ka humbur territor, ndërkaq pas raportit që dhanë, doli se ato pohime kanë qenë spekulime dhe nuk ofruan asnjë provë solide për ‘humbjen e 8 mijë hektarëve’! Edhe Haradinaj në mbledhjen e Qeverisë bëri gafën e dërgimit të marrëveshjes në Kuvend për aprovim, ku raporti i komisionit të Bulliqit shërbente vetëm si informatë shtesë, e jo kontest valid i marrëveshjes. Pra, nga kjo po shihet se ne nuk kemi problem me Malin e Zi, por kemi problem të brendshëm.

“Epoka e re”: Ardhja e kryeministrit malazez, a mund t’i kontribuojë zgjidhjes së çështjes së demarkacionit?
Maliqi: Besoj se do të mund të kontribuojë sepse, në ndërkohë, edhe në koalicionin aktual qeverisës ka pasur përpjekje që të tejkalohet ngërçi dhe ka pasur edhe kontakte me Podgoricën që të gjendet një solucion që Qeverinë aktuale dhe Haradinajn e nxjerrin ‘faqebardhë’.

“Epoka e re”: Këto ditë është prezantuar një ide, sipas së cilës, ky version i demarkacionit mund të kalojë në Kuvend, por paraprakisht do të duhej  nënshkruar një deklaratë nga të dyja palët, me anë të së cilës mund të rishikohet procesi i demarkacionit nëse në të ardhmen gjendet ndonjë fakt i ri. Si e shihni një ide të tillë?
Maliqi: Një deklaratë e tillë mbase mund të nënshkruhet formalisht, për të krijuar mirëbesimin mes palëve, por edhe një adresë opinionit të atyre që mendojnë se marrëveshja është bërë me gabime. Por, ky kusht ekziston edhe në vetë marrëveshjen ku thuhet se ‘shënimi i saktë i kufirit mes dy vendeve do të bëhet pas ratifikimeve në afatin dyvjeçar, ku  mund të bëhen edhe korrigjimet në terren. Pra, po del se kemi bërë shumë zhurmë për asgjë, për diçka që është paraparë të bëhet edhe me vetë marrëveshjen e kontestuar.

“Epoka e re”: A rrezikohet Kosova që t’i prishë raportet me Malin e Zi rreth kësaj çështje?
Maliqi: Nëse Kosova do të mbetej këmbëngulëse rreth ‘humbjes së territorit’ nuk do t’i prishte marrëdhëniet vetëm me Malin e Zi, por edhe me një pjesë bukur të madhe të bashkësisë ndërkombëtare, pikërisht me vendet që kanë ndihmuar më së shumti pavarësimin dhe afirmimin e shtetit të Kosovës. Ne kemi pasur një komision ndërkombëtar që ka vërtetuar se kufiri sipas marrëveshjes është në rregull, Kosova është në kufijtë e vet sipas Kushtetutës së vitit 1974 të ish-Jugosllavisë. Uashingtoni dhe Brukseli tërë kohën kanë pohuar se kufiri është në rregull dhe e kanë ftuar Kuvendin e Kosovës që ta ratifikojë marrëveshjen. Së fundi kemi shenja të këndelljes së liderëve kokëfortë jo vetëm rreth ratifikimit të demarkacionit, por edhe rreth Gjykatës Speciale, që edhe më shumë rrezikonte ‘rebelimin’ absurd të politikës së Kosovës ndaj tutorëve tanë perëndimorë!

“Epoka e re”: Z. Maliqi, çfarë vlerësimi keni për Kosovën në këta dhjetë vjet shtet? Cilat janë të arriturat, dështimet dhe sfidat e së ardhmes?
Maliqi: Në pikat e shkurtra, për dallim nga skepticizmi dhe vlerësimet edhe në opinionin tonë se ‘shteti i Kosovës është një dështim’, që është slogan që e përsërisin si papagallët propagandistët e Rusisë, të Serbisë dhe vendeve të tjera armike të Kosovës, unë mendoj se e vërteta është më afër atij slogani tjetër që vjen nga ShBA-ja, që thotë se ‘Kosova është storie e suksesit’! Kur të përmblidhen faktet relevante si numri i njohjeve të shtetit të Kosovës, proceset afirmative në shumë fusha të ndërtimit të sistemit, të mbarëvajtjes së proceseve zgjedhore, të krijimit të institucioneve, të rregullimit të ekonomisë, të shërbimeve publike, të përparimit në sport, kulturë, pastaj vendosja e kanaleve të ndryshme të komunikimit me botën etj. Kosova është sot shumë më e përparuar se në vitin 2008, kur e shpalli pavarësinë. Por, ndërtimi dhe ngritja e Kosovës është proces kompleks, ku kemi shumë segmente të realitetit me ngecje dhe probleme të cilat atë faqen e ndritur të përparimit e tregojnë si tejet të ngrysur, me tendenca që shpijnë në katastrofë. Këto perceptime skajshmërisht të ndryshme, kur dikush numëron vetëm të mirat dhe tjetri shikon vetëm ngecjet. Dështimet ndonjëherë dominojnë diskursin publik dhe krijohet përshtypja e hendekut, e një konflikti që nuk është vetëm konceptual dhe ideologjik, por edhe diçka si polarizim luftarak i shoqërisë. Pikëpamja ime është se duhet të bëhet përpjekja për analizë sintetike, të merren parasysh të gjithë faktorët dhe stadet e zhvillimit të segmenteve të shoqërisë. Për shembull, së fundi kemi pasur shumë të shprehur krizën e drejtimit të shtetit dhe partive, që ka krijuar bindjen se lidershipi aktual në spektrin e gjerë nuk është i përgjegjshëm, nuk punon për interesin e shtetit, por të klaneve dhe grupeve të interesit, se po e çon Kosovën drejt greminës etj. Ndërkaq që, paralelisht me zgjedhjet, ndonëse me ritme më të ngadalta, kemi vërejtur se votuesit kanë filluar ta ndëshkojnë këtë tip të lidershipit dhe në zgjedhjet e ardhshme, do të mund të kemi një vetëdijesim më të  madh ose edhe një përmbysje në skenën politike, që do ta sjellë brezin e ri të politikanëve më të dijshëm dhe më ekspertë, në pozitat udhëheqëse. 10 vjet janë mbase pak për realizimin e shtetit funksional. Duhet të kemi më shumë durim dhe vlerësim kompetent të proceseve shoqërore dhe shtetformuese.

Shqipe HETEMI

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nën organizimin e Odës Ekonomike të Kosovës, ministrja e Integrimit…