Malisheva e gatshme të zbatojë projektin për repelimin e kafshëve
Zëvendëskryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, ka pritur të mërkurën në takim ekipin nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë të Republikës së Kosovës, në këtë takim informues merrnin pjesë edhe zyrtarë nga Komuna e Rahovecit.
Zëvendëskryetari Berisha i ka njoftuar përfaqësuesit e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, me përgatitjet e ekipit lokal i cili do të jetë në gatishmëri të plotë në bashkëpunim me AUV-në dhe kompaninë Zona-park, e cila e implementon projektin për repelimin e kafshëve në tërë territorin e Komunës së Malishevës.
“Koha më e duhur është fillimi marsit. U bëjë thirrje që të filloni me repelimin e kafshëve në javën tjetër të marsit. Përvojat tona, që nga viti 2014 kanë treguar efikasitet dhe për fat të mirë që nga ajo kohë nuk kemi pasur viktima nga EHKK-ja, por as të infektuar me këtë virus vdekjeprurës. Si qeveri lokale do të jemi me kapacitete të plota në shërbim të këtij aktivitet shumë të domosdoshëm që eviton një sëmundje epidemike”, ka thënë Berisha.
Ndërsa Sadik Heta, drejtor i Drejtorisë së Shëndetit dhe Mirëqenies, pran Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, ka theksuar se gjatë vitit 2018 kishin vështirësi në zbatimin e projektit të tillë për shkaqe procedurale. “Këtë vit i kemi bërë të gjitha parapërgatitjet dhe do të fillojmë që nga java tjetër e marsit me repelimin e kafshëve në Komunën e Malishevës, Rahovecit me disa fshatra dhe Suharekës”, ka thënë ai.
Drejtori i Drejtorisë për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural në Komunën e Malishevës, Murat Hoxha, u ofroi bashkëpunim të plotë dhe profesional në zbatimin e repelimit të kafshëve në të gjitha fshatrat e Malishevës, me gjithë potencialin që ka si drejtori por edhe me udhëheqësit e fshatrave.
Në fund edhe përfaqësuesi i kompanisë që do ta realizojë projektin trevjeçar, Besnik Hoti – operator ekonomik, ka thënë e janë përgatitur në mënyrë që nga java tjetër të fillojnë me zbatim të repelimit të kafshëve.
Ai ka thënë se produktin që kanë siguruar është me cilësi dhe standarde evropiane.
/Epoka e re/