Malisheva e mbyll sezonin me fitore ndaj Llapit
Malisheva e ka mbyllur sezonin 2022/23 në Albi Mall Superligën e Kosovës me fitore 3-2 ndaj Llapit.
Ndeshjen më mirë e nisën malishevasit, që filluan të rrezikonin portën mysafire, por pa arritur të kalojnë herë në epërsi.
Kur Llapi filloi të bënte lojën e tyre, pasoi edhe goli i tyre i epërsisë i shënuar përmes Drilon Fazliut në minutën e 27-të.
Mirëpo, vendasit i barazuan shifrat nëpërmjet Ilir Mustafës (39’), me kaq edhe përfundoi pjesa e parë.
Në 45 minutat e dytë, Malisheva ishte edhe më dominuese, duke shënuar dy gola, por që pranuan një tjetër.
Me të nisur pjesa e dytë, Ronald Sobowale e përmbysi rezultatin për 2-1, me golin e shënuar në minutën e 49-të. Për një epërsi më komode të Malishevës u përkujdes Bleart Tolaj, që realizoi për 3-1 në minutën e 64-të.
Por, Llapi ia doli të ngushtonte epërsinë e vendasve, duke shënuar nëpërmjet Erjon Morinës (75′) për rezultatin 3-2. Skuadra nga Podujeva pati mundësinë që të barazonte rezultatin, mirëpo nga pika e bardhë dështoi Ilir Krasniqi në minutën e 90+6-të, duke humbur mundësinë për një pikë.
Malisheva e mbyll këtë sezon në vendin e gjashtë me 46 pikë, ndërsa Llapi në të shtatin me 43 sosh.