Malisheva fillon ciklin e ligjëratave nëpër shkolla për mbrojtje nga rriqrat
Këshilli i Drejtorëve në Komunën e Malishevës ka mbajtur të hënën mbledhjen e rregullt, e cila është drejtuar nga nënkryetari i kësaj komune, Hajdin Berisha.
Në këtë mbledhje Berisha ka kërkuar nga drejtorët komunalë të raportojnë për punët e kryera gjatë javës së kaluar, për detyrat të cilat do të fillojnë që nga dita e stome të realizohen për javën dhe muajin mars në tërësi.
Fillimisht drejtori i Drejtorisë për Arsim dhe Edukim, Blerim Thaçi, ka raportuar për disa nga aktivitetet e kësaj drejtorie. “Me rastin e dhunës fizike që ndodhi ditë më parë në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët ‘Afrim Krasniqi’ në fshatin Bardh, në mes të një mësimdhënësi dhe nxënësi, drejtoria ka shqiptuar masën e suspendimit të mësimdhënësit që përdori dhunë fizike ndaj nxënësit deri në një vendim të ri që do të merret nga organet e drejtësisë”, ka thënë Thaçi.
Ndërsa Liridon Hotit, drejtor i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, ka bërë me dije se nga 13 marsi do të fillojnë me ligjëratat nëpër të gjitha shkollat e Komunës së Malishevës, në mënyrë që të sensibilizohen nxënësit për mbrojtjen nga virusi kundër Etheve Hemorragjike Krime Kongo (EHHK).
Në këtë kontekst, ai ka thënë se shumë shpejt do të fillojë edhe repelimi i kafshëve.
Në vazhdim të raportimit, edhe Valon Gashi nga Drejtoria për Shpëtim dhe Mbrojtje ka bërë me dije se brenda këtij muaji në Malishevë ka pasur mbi 45 vatra të zjarrit në fusha dhe male.
Në fund të takimit, nënkryetari Hajdin Berisha ka kërkuar nga drejtorët përmbushjen e të gjitha objektivave sipas dinamikës së planifikuar për projektet që janë paraparë dhe që do të realizohen.