Malisheva me masa kundër etheve hemorragjike
Këshilli Ndërministror për Luftimin dhe Parandalimin e Etheve Hemorragjike Krime Kongo (EHKK) i drejtuar nga ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka mbajtur të premten takimin e parë, në të cilin ka marrë pjesë edhe nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha.
Në këtë takim është biseduar për masat që do të merren gjatë këtij viti për luftimin dhe parandalimin e EHKK-së.
Pas përfundimit të mbledhjes së parë të këshillit, nënkryetari i Malishevës, Hajdin Berisha, ka bërë me dije se Këshilli Ndërministror për Luftimin dhe Parandalimin e EHKK-së është i përkushtuar për zbatimin e plotë të strategjisë nacionale për luftimin dhe parandalimin e EHKK-së.
Për zbatimin e kësaj strategjie dhe masat tjera që do të merren gjatë këtij viti, si dhe për ta parë situatën nga afër, është paralajmëruar edhe një vizitë e ministrit të shëndetësisë, e cila pritet të realizohet brenda pak ditëve.
Edhe pse Malisheva i ka specifikat e saj dhe njihet si zonë endemike, këtë vit nuk është regjistruar asnjë rast me thumbime nga rriqrat.