Malisheva ndër komunat më të sigurta në vend
Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) në Malishevë, duke u bazuar në raportet e sigurisë së përgjithshme, komunën e Malishevës e ka vlerësuar si një prej komunave më të sigurta në vend në aspektin e sigurisë së përgjithshme.
Ky konstatim ka dalë të enjten në mbledhjen e rregullt të KKSB-së në Malishevë, e cila është drejtuar nga kryetari i kësaj komune, Ragip Begaj, në të cilën kanë marrë pjesë të gjitha organet e sigurisë në vend.
Sipas komandantit të stacionit policor në Malishevë, kapiten Azem Krasniqi, bazuar në raportet policore, ky qytet është më i qeti dhe më i sigurti në vend.
“Kjo nuk është vetëm rezultat i policisë por më shumë edhe rezultat i bashkëpunimit të mirë me qytetarët. Gjithashtu vendosja e sistemit të kamerave ka ndikuar në masë të madhe në sigurinë e përgjithshme në këtë komunë”, ka thënë Krasniqi.
/Epoka e re/