Malisheva njëra prej komunave më të qeta dhe më të sigurta në vend
Në Komunën e Malishevës është mbajtur mbledhja e pestë e rregullt e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB), e cila është drejtuar nga nënkryetari i kësaj komune, Hajdin Berisha.
Në këtë mbledhje është vlerësuar situata e sigurisë së përgjithshme në Komunën e Malishevës, ku është vlerësuar se Malisheva vazhdon të mbetet njëra prej komunave më të qeta dhe më të sigurta në vend, në aspektin e sigurisë së përgjithshme.
Bazuar në raportet e organeve përgjegjëse për sigurinë e përgjithshme, situata e sigurisë në Komunën e Malishevës, vlerësohet e qetë dhe stabile, dhe pa tendencë të prishjes së kësaj situate.
Në raportimin e tij, komandanti i stacionit policor në Malishevë, kapiten Azem Krasniqi, në raportet policore, krahasuar me vitin paraprak, ka thënë se ka rënie të veprave penale në territorin e kësaj komune.
Po ashtu, në këtë takim, situata me ethet hemorragjike krime kongo është vlerësuar në kontroll të plotë, pasi tani e gjashtë me radhë, nuk ka asnjë rast të vdekjeve nga ky virus, në territorin e Komunës së Malishevës.
/Epoka e re/