Malisheva njoftohet me programet e granteve nga zyra japoneze në Prishtinë
Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, i shoqëruar nga nënkryetari, Hajdin Berisha, drejtori për Arsim, Blerim Thaçi, ai për Emergjenca, Valon Gashi, dhe drejtori për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Liridon Hoti, kanë pritur në një takim koordinatorin e projekteve pranë zyrës japoneze në Prishtinë, Mark Rodiqi, me të cilin kanë diskutuar rreth granteve dhe projekteve të kësaj zyre.
Koordinatori Rodiqi i ka informuar zyrtarët e Komunës së Malishevës me programet e zyrës japoneze për ndihma pa kthim për institucionet komunale, në fushat e caktuara, përkatësisht me grantet që ofrohen nga zyra japoneze në Prishtinë dhe afatet për aplikim.
Fushat në të cilat ofrohen këto grante, janë në emergjenca, shëndetësi, arsim dhe shërbime publike.
Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, e ka falënderuar zyrtarin pranë zyrës japoneze në Prishtinë për ofrimin e informacioneve. Po ashtu, ai e ka falënderuar qeverinë japoneze për përkrahjen e vazhdueshme që ka dhënë për Kosovën në përgjithësi, e në veçanti për Malishevën.
/Epoka e re/