
Malisheva përkujton 26-vjetorin e masakrës së Burimit ku mbetën të vrarë 42 qytetarë
Sot (e hënë) është përkujtuar 26-vjetori i masakrës së Burimit të Malishevës, ku janë vrarë 42 qytetarë të pafajshëm në vendin e quajtur “Vrella e Mëhillit”.
Viktimat ishin kryesisht banorë të fshatrave Dragobil dhe Astrazup, si dhe katër qytetarë nga Komuna e Suharekës.
Kjo masakër mbetet ndër aktet më të rënda të kryera nga ushtria dhe policia serbe në komunën e Malishevës gjatë luftës së fundit.
Në nderim të martirëve të hënë janë bërë homazhe dhe nderime të varrezat e të rënëve në Dragobil dhe në vendin e ngjarjes në Burim.
Përveç familjarëve, në këtë ceremoni kanë marrë pjesë edhe nënkryetari i Malishevës, Vesel Krasniqi, së bashku me kabinetin qeveritar të komunës, kryesuesi i Kuvendit të Malishevës, Argjend Thaçi, komandanti i stacionit policor, Nazmi Zogaj, kryetari i Bashkësisë Islame në Malishevë, Sead Paçarizi, si dhe shumë qytetarë.