Malisheva përkujton dëshmorin Afrim Krasniqi – komandant Drenica
Në Tërpezë të Malishevës është mbajtur një tubim përkujtimor, kushtuar dëshmorit dhe heroit të kombit, Afrim Krasniqi, i njohur si komandant Drenica, i cili ka rënë heroikisht në betejën e Koshares, më 6 maj të vitit 1999.
Në këtë tubim përkujtimor, krahas familjarëve dhe qytetarëve të shumtë, kanë marrë pjesë edhe kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, ministri i Ministrisë së Mbrojtjes, Rrustem Berisha, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Haxhi Shala, zëvendësministri i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Çerkin Dukolli, kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Xhavit Jashari, kryetari i OVLUÇK-së në Malishevë, Metush Kryeziu, dhe personalitete të shumta.
Në këtë tubim përkujtimor, në fjalët e tyre, ministri Berisha dhe kryetari Begaj, kanë vlerësuar lartë figurën dhe kontributin e komandant Drenicës.
Po ashtu, Berisha e Begaj, duke iu referuar debateve të fundit për betejën e Koshares, u kanë bërë thirrje të gjithëve, që t’i lënë anash këto debate, pasi pikërisht ajo betejë është simboli i bashkimit, ndërsa edhe amaneti i dëshmorëve të rënë në atë betejë ishte bashkimi.
Edhe Xhavit Jashari e Çerkin Dukolli, vlerësuar lartë veprën e Afrim Krasniqit, ndërsa përkujtuan edhe betimin e ushtarit dhe amanetin e dëshmorëve për bashkim. Ndërsa, Metush Kryeziu, në emër të OVL të UÇK-së, dega në Malishevës, përveç që ka folur për kontributin e dëshmorit dhe heroit Afrim Krasniqi, familjes ia ka dorëzuar edhe dekoratën e ndarë për komandant Drenicën.
/Epoka e re/