Malisheva premton përkrahje për aktivitetet rinore
Nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha dhe drejtoresha e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Blerta Krasniqi, kanë pritur në një takim pune, kryetarin e Qendrës Rinore në Malishevë, Amrush Helshani dhe aktivistë të tjerë, të cilëve u kanë premtuar përkrahje për vazhdimin e aktiviteteve rinore, edhe gjatë vitit 2018.
Fillimisht, kryetari i Qendrës Rinore, Amrush Helshani, e ka njoftuar nënkryetarin Berisha për aktivitetet e Qendrës Rinore, rezultatet e arritura dhe sfidat me të cilat përballet kjo organizatë rinore, si dhe punën vullnetare që bëhet nga aktivistët e saj.
Pas kësaj, nënkryetari i Malishevës, Hajdin Berisha, ka thënë se kjo komunë do të vazhdojë të përkrahë aktivitetet rinore, edhe gjatë këtij viti. “Rinia është pasuria më e madhe që e ka Komuna e Malishevës, prandaj edhe përkrahja për zhvillimin e aktiviteteve rinore, nuk do të mungoj. Rinia, kultura dhe sporti, janë prioritet i yni dhe përmes drejtorisë komunale, të gjitha aktivitetet do të përkrahen, pasi kjo është rruga më e mirë për zhvillimin e një shoqërie të shëndoshë dhe aktive”, tha Berisha.