Malishevë, pensionohet punëtori shumëvjeçar i komunës dhe veterani i luftës Nuhi Shala
Sot i ka mbushur 65 vite, punëtori shumëvjeçar i Komunës së Malishevës, njëherësh njëri nga themeluesit e komunës në vitin 1999 dhe veterani i luftës së UÇK-së, apo njëri nga themeluesit i njësitit ushtarak “Lumi”, Nuhi Shala.
Me këtë rast, nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, u organizua edhe ceremonia e pensionimit të Nuhi Shalës.
Nuhi Shala, jurist i diplomuar, karrierën e tij të punës, e ka filluar në kooperativën bujqësor në Banjë, për vazhduar aktivitetin e tij në sistemin paralel, politik dhe administrativ gjatë viteve të ’90-ta.
Më pas, Shala, ishte i angazhuar edhe në luftën çlirimtare, duke qenë njëri nga pesë themeluesit e njësitit “Lumi” në Malishevë, për vazhduar me drejtimin e njësive tjera organizative të UÇK-së, deri në drejtimin e brigadës.
Pas çlirimit, Nuhi Shala, ishte njëri nga themeluesit e Komunës së Malishevës, duke drejtuar drejtori dhe sektorë të ndryshëm në komunë, deri në pensionimin e tij, sot më 9 tetor 2023.
Në këtë ceremoni të pensionimit, i pari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, e ka vlerësuar lartë punën dhe angazhimin e Nuhi Shalës dhe e ka falënderuar për gjithë kontributin e dhënë në komunë dhe për komunën, në të gjitha etapat.