Malishevës i rikthehet kodi i veturave 04
Ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Agim Veliu, ka qëndruar sot në Malishevë, ku është pritur nga nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, me bashkëpunëtor, ndërsa qëllim i kësaj vizite ishte vendimi i MPB-së, që qytetarëve të Malishevës t’u kthehet kodi i regjistrimit të automjeteve 04, apo me regjionin e Prizrenit, e cila ishte kërkesë e vazhdueshme e Komunës së Malishevës.
“Sot, jam këtu për dy arsye, e para për tu njoftuar me vërshimet e ditës së sotme, dhe e dyta apo më e rëndësishmja, sjellja e vendimit tim, për ndryshimi e rregullores, për targat e automjeteve, dhe nga data 11 janar 2021, qytetarët e Malishevës, do ti regjistrojnë veturat me 04”, ka thënë ministri Veliu. “I kam shqyrtuar kërkesat dhe tërë bazën ligjore, dhe kam vlerësuar se kërkesa e Komunës së Malishevës, e qytetarëve të saj e tërë spektrit politik në Malishevë, është e arsyeshme. Shërbimi duhet të jetë sa më afër qytetarit dhe për këtë qëllim e kam marrë këtë vendim”, tha ministri Veliu, para se të t’ia dorëzoj vendimin nënkryetarit Berisha.
Nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, e ka falënderuar ministrin e Veliu, për këtë vendim historik për qytetarët e Komunës së Malishevës. “Në emër të kryetarit të komunës, z.Ragip Begaj, në emër të Komunës së Malishevës, ju falënderoj për hapin që keni marrë, që Malisheva të kthehet aty ky tradicionalisht e ka vendin, ku është shpirtërisht i lidhur, me regjionin e Prizrenit, sepse nga 2014 e deri më tani, kemi pasur probleme të shumta. Dërgimi në regjionin e Gjakovës, është bërë pa vullnetin tonë dhe në mënyrë arbitrare. I ftoj edhe ministritë tjera të ndjekin hapin e MPB-së dhe gradualisht të gjitha shërbimet aty ku e kanë vendin”, ka thënë Berisha, duke ju bërë thirrje të gjitha ministrive, që të bëjnë të njëjtin veprim në shërbim të qytetarëve të Komunës së Malishevës.