Malmstrom: BE-ja, e gatshme të bisedojë me ShBA-në për tregti
Bashkimi Evropian (BE) është i gatshëm për të negociuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve tregtare, pas vendimit të kësaj të fundit për të vendosur tarifa në metalet evropiane. Kështu ka thënë Komisioneria e BE-së për Tregti, Cecelia Malmstrom.
Duke i përshkruar tarifat amerikane “joligjore” dhe në kundërshtim me rregullat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Malmstrom ka thënë se nuk ka mundësi tjetër përveç marrjes së masave hakmarrëse për të mbrojtur interesat evropiane.
“Ne jemi gjithmonë të hapur për të biseduar me ShBA-në. E gjithë BE-ja është e bazuar në idenë e të biseduarit”, është shprehur ajo në një seminar.
Ajo ka bërë me dije se BE-ja do të fillojë të premten aplikimin e tarifave prej 25 për qind në produktet amerikane, në përgjigje të tarifave të ShBA-së, të vëna në çelikun dhe aluminin evropian.
Gjatë vizitës së saj në Zelandën e Re, ajo ka diskutuar për marrëveshje të tregtisë së lirë, duke bërë thirrje për bashkëpunim dhe respektim të sistemit tregtar.
Raundi i parë i negociatave për arritjen e ndonjë marrëveshje për tregti të lirë në mes të Bashkimit Evropian dhe Zelandës së Re do të mbahet në Bruksel nga 16 deri më 20 korrik.