Maloku, Haxhiut: Nuk e përkrahim një veting të tillë
Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Jetish Maloku, ka folur për vetingun në sistemin e drejtësisë në një konferencë për medie.
Ai ka thënë se kanë pasur takime të ndryshme me faktorët e pushtetit dhe përfaqësuesit e Ministrisë së Drejtësisë kur është diskutuar për këtë çështje.
Maloku ka bërë me dije se nuk e mbështesin këtë proces të vetingut të paraqitur nga ministrja Albulena Haxhiu.
Kjo pasi sipas tij, nuk i sjell dobi as sistemit të drejtësisë e as qytetarëve të Kosovës.
“Ju e dini, ne kemi qenë aktiv prej fillimit në Grupet Punuese që i ka formuar Ministria e Drejtësisë. Kemi pasur përfaqësuesit tanë aty. Kanë qenë aktiv. Edhe në takimet e drejtpërdrejta me ministren e Drejtësisë apo faktorët e tjerë. Nuk e përkrahim një proces të vetingut klasik pasi ka më shumë pasoja sesa që i sjell dobi KPK-së. Nuk e di çfarë dobie i sjell qytetarit një veting që më tepër ka më shumë pasoja sesa dobi. Nuk jemi dakorduar për një veting të tillë”, ka deklaruar Maloku.