Maloku: Kosova në asnjë formë nuk mund të krahasohet me entitetin e Bosnje-Hercegovinës

27 korrik 2020 | 23:03

Anëtari serb i presidencës trepalëshe të Bosnje dhe Hercegovinës, Millorad Dodik, gjatë takimit që pati ditë më parë me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka kërkuar që Republika Serbe të ketë trajtim të njëjtë sikurse Kosova.

Sipas tij, Serbia gëzon një të drejtë natyrore për t’u marrë me Kosovën si çështje kryesore, mirëpo siç tha ai, çështja e parë e Serbisë në aspektin kombëtar duhet të jetë: Republika Serbe.

Në lidhje me këtë politologu Albinot Maloku i është përgjigjur interesimit të gazetës serbe “Danas”. Në pyetjen se a ka ngjashmeri mes Republikës Serbe të Bosnje dhe Hercegovinës dhe Kosovës, Maloku ka thënë se “Kosova në asnjë formë apo format nuk mund të krahasohet me entitetin e Bosnje-Herzegovinës të krijuar mbi gjenocid dhe një marrëveshje ndërkombëtare”.

“Kosova, si ish njësi e Republikës Federale Socialiste të Jugosllavisë, shpalli pavarësinë e saj në vitin 2008, dhe vendimi për pavarësi u konfirmua nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë si i legal dhe i ligjshëm”, thotë ai.

Derisa flet për dallimet, politologu Maloku thotë se, “Marrëveshja e Dejtonit si një dokument ndërkombëtar nuk ka asnjë ngjashmëri me asnjë nga marrëveshjet e nënshkruar nga Kosova prej Rambujes deri në Bruksel”.

Me tutje ai shpjegon se “Bisedimet për statusin e Kosovës me Serbinë përfunduan në Vjenë. Tani kemi një proces dialogu që po zhvillohet në Bruksel me qëllimin për të normalizuar marrëdhëniet dhe njohjen e ndërsjellë të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Milorad Dodik, anëtari serb i Presidencës së BiH, mund të deklarojë çkado. Ai e di shumë mirë se garantuesi i ekzistencës së Bosnje dhe Hercegovinës si të tillë janë, përveç popullit vendas, bashkësisë ndërkombëtare edhe dy ish njësit e RSFJ-së, Republika e Kroacisë dhe Republika e Serbisë. Marrëveshja e Dejtonit si një dokument ndërkombëtar nuk ka asnjë ngjashmëri me asnjë marrëveshje të nënshkruar nga Kosova nga Rambuje në Bruksel”.

Kujtojmë se Republika Serbe së bashku me Federatën e Bosnje dhe Hercegovinës, janë dy entitete që përbëjnë shtetin e Bosnje e Hercegovinës. Ky vend është ndarë kështu me Marrëveshjen e Dejtonit, e cila i ka dhënë fund luftës në Bosnje të vitet 1990.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Numri i rasteve me Covid në Kosovë është rritur në…