Maloku në Speciale: Më lejoni t’ua sqaroj se UÇK-ja ka qenë ushtri e rregullt vullnetare

24 mars 2025 | 14:43

Dëshmitari Naim Maloku u pyet në Hagë lidhur me një libër të tij, për të cilin tha se ka mundur që të ketë disa ekzagjerime të vogla për UÇK-në.

“Mund të ketë pasur ndonjë ekzagjerim të vogël. Në përgjithësi libri pasqyron të kaluarën time”, ka thënë Maloku.

Dëshmitari është pyetur se çfarë ka ekzagjeruar në librin e tij lidhur me veprimtarinë dhe funksionin e UÇK-së.

“Ndoshta e kam paraqitë strukturën organizative dhe zinxhirin komandues si strikte. Më lejoni t’ua sqaroj se Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ka qenë ushtri e rregullt vullnetare. Nuk ka qenë e mobilizume në bazë të ligjeve, Qeverisë, Ministrisë së Mbrojtjes, por është organizuar në baza vullnetare”, ka thënë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ai ka thënë se çdo njësi vullnetare ka përgjegjësi dhe obligime që dallojnë nga njësitë e tjera që mobilizohen sipas ligjit.

Dëshmitari është pyetur edhe për rolin e Ilir Konushevcit në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

“Njeri kyç i logjistikës për UÇK-në në Shqipëri. Ishte këmbëngulës që sa më shumë oficerë dhe sa më shumë ushtarakë të futen në Kosovë në radhët e UÇK-së. E di që ka bërë përpjekje maksimale që shumë kolegë të mi që ishin me përvojë në luftërat në Kroaci dhe Bosnjë që të kyçemi”, ka thënë dëshmitari, duke shtuar se përpjekje si Ilir Konushevci kishte bërë edhe Qerim Kelmendi.

Dëshmitari Maloku ka thënë se ka pasur rezerva për kyçjen e tyre në UÇK. Tha se në fillim të veprimtarisë së tij është marrë me trajnimin e vullnetarëve që kanë ardhur nga jashtë në dy kampe që kanë ngritur në malin e Dajtit në afërsi të Tiranës.

Ai ka thënë se më pas kanë shkuar edhe në bazat e logjistikës në Kukës dhe në Bajram Curr për të ngritë strukturën organizative të bazave që armët që grumbulloheshin të dekonzervohen dhe të kontrollohen teknikisht.

Si rrjedhojë, Maloku ka thënë se kjo ishte për shkak se në rast kur ushtarët të merrnin armën që të shkojnë në Kosovë, arma të jetë funksionale për shkak se ka pasur disa raste që kur kanë dalë ushtarët në pritë nuk iu kanë funksionuar armët.

Ai ka thënë se në ’98-n kanë sugjeruar që të mos vendosin mina kundër këmbësorisë.

“E vetmja ushtri që gjatë kohës sa ka vepruar dhe funksionuar nuk ka qenë e trajnume dhe nuk ka pas në përdorim mina anti-këmbësorie. Toka jonë ka qenë, shteti jonë ka qenë se ato mina kanë mujt me met aty të fshehura me dekada më vonë me dëmtuar fëmijë, civil, kafshë dhe këtë ia kemi komuniku Ilir Konushevcit. Jo urdhër, se na nuk kemi pas mundësi me i dhënë urdhër Ilri Konushevcit, por i kemi këshilluar dhe i kemi thënë që kurrë mos t’iu japë ushtarëve dhe të mos mësohen ushtarët për përdorimin dhe minimin dhe krijimin e fushave të minave anti-këmbësori në territorin e Kosovës”, ka thënë ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Besa Ismaili, ka…