
Maloku për librin e tij: Mund të ketë pasur ekzagjerime të vogla
Dëshmitari Naim Maloku u pyet në Hagë lidhur me një libër të tij, për të cilin tha se ka mundur që të ketë disa ekzagjerime të vogla për UÇK-në.
“Mund të ketë pasur ndonjë ekzagjerim të vogël. Në përgjithësi libri pasqyron të kaluarën time”, thënë Maloku, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Dëshmitari është pyetur se çka ka ekzagjeruar në librin e tij lidhur me veprimtarinë dhe funksionin e UÇK-së.
“Ndoshta e kam paraqitë strukturën organizative dhe zinxhirin komandues si strikte. Më lejoni t’ua sqaroj se Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ka qenë ushtri e rregullt vullnetare. Nuk ka qenë e mobilizume në bazë të ligjeve, Qeverisë, Ministrisë së Mbrojtjes, por është organizuar në baza vullnetare”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se çdo njësi vullnetare ka përgjegjësi dhe obligime që dallojnë nga njësitë e tjera që mobilizohen sipas ligjit.