Maloku: UÇK-ja bëri luftë të ndershme bazuar në konventat ndërkombëtare
Ish-drejtues i UÇK-së, Naim Maloku, thotë se pas propozim-aktakuzës së Zyrës e Prokurorit të Specializuar ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK-së Kadri Veseli, shqiptarët duhet të mobilizohen.
Maloku që jeton në Slloveni tha se kjo ngjarje ka shpeshtuar takimet e shqiptarëve në këtë vend duke i bashkuar.
Ai është intervistuar në Slloveni nga dy prokurorë të dërguara nga Haga.
“Ngjarjet në Kosovë janë mjaft shqetësuese dhe me brengë kam pritur ngritjen e asaj aktakuze. Gjëra që s’janë pritur. Edhe gjatë intervistimit tim s’ka pasë shenja që këto dy personalitete do të trajtohen nga Gjykata Speciale në mënyrë kaq urgjente”, ka thënë Maloku në një lidhje direkte në Edicionin Special në Klan Kosova.
“Kjo ngjarje që është një goditje e rëndë për Kosovës duhet të shfrytëzohet si një momentum për konsolidimin e shqiptarëve dhe partive politike, kudo që ka shqiptarë duhet të mobilizohen. Është një moment kthese kur duhet të ketë bashkim qoftë brenda partisë, Kuvendit dhe kudo në diasporë”.
“E shoh edhe këtu një mobilizim të jashtëzakonshëm mes shqiptarëve. Ka pasë shpeshtim të komunikimit derisa kemi qenë të larguar dhe kjo ka bërë që të bëjmë vizita në shoqatën “Migjeni” dhe në Ambasadë. Shpresoj që edhe në Kosovë do ndodhë një proces i tillë”.
Maloku tha se edhe disa sllovenë kanë shfaqur shqetësim për këtë ngjarje.
“Unë këtu në Slloveni kam pasë kontakte dhe takime që janë interesuar për gjërat në Kosovë. Sllovenët e shohin si një brengë të madhe. Ata janë prezentë me trupat e KFOR-it dhe Sllovenia ka mbështetur gjithmonë Kosovën në të gjitha proceset pozitive që ka pasë”.
“Kam besim të plotë që shqiptarët në momente krizash dhe vendimtare kemi ditur me gjetë dhe të tejkalojmë shumë inate personale, mëri dhe kemi tejkaluar edhe vetveten tonë”.
Maloku tha se UÇK-ja ka bërë luftë të ndershme duke iu përmbajtur të gjitha konventave ndëkombëtare për luftën, ndërsa akuzat që po iu bëhen ish-luftëtarëve janë shpifje nga pala serbe.