Maloku: UÇK-ja ka qenë ushtri vullnetare, roli i inspektorit të përgjithshëm s’ishte përpara dhjetorit të ‘98-s

26 mars 2025 | 12:36

Dëshmitari Naim Maloku, ka thënë të mërkurën në Hagë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) dhe struktura e saj ka qenë vullnetare.

Duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit të Rexhep Selimit, Geoffrey Roberts, dëshmitari, ka thënë se roli i inspektorit të përgjithshëm nuk ishte funksional para dhjetorit të viti 1998.

“Nga ushtari i parë deri tek i fundit, e tërë struktura e UÇK-së ka qenë vullnetare”, ka thënë Maloku.

Maloku është pajtuar që statusin e veteranit e ka marrë edhe dikush që ka mundur ta mbajë uniformën për pak kohë sepse ka qenë në vullnetin e ushtarëve se sa duan të luftojnë dhe kur dëshirojnë që të largohen. “Erdhën dy ushtarë nga Zvicra, kishin marrë pushim vjetor njëri një muaj tjetri një muaj e dy ditë, kur e kreu pushimin vjetor e la armën dhe u kthye në Zvicër. Ky tjetri e pati fatin tjetër, edhe dy javë kishte kohë, por u vra edhe sot është dëshmor”, ka thënë Maloku.

Duke folur për Drejtorinë Operative, Maloku ka thënë se ishte ngritur nga Bislim Zyrapi në dhjetor të 1998-s dhe para saj nuk kishte ndonjë strukturë të tillë.

Më pas, atij i është prezantuar dëshmia e 24 marsit 2025, në të cilën Maloku kishte folur për inspektorin e përgjithshëm të UÇK-së.

Sipas dëshmitarit, ky rol ka pasur vetëm funksionin e sugjerimit të masave për të evituar parregullsitë. Ai ka thënë se raportimi duhej të bëhej tek shefi i shtabit. Veç kësaj, Maloku ka thënë se nuk e di se sa ka mundur që të jetë funksionale në tërësi kjo strukturë.

Ai ka theksuar se pozita e sektorit të inspektorit të përgjithshëm nuk ishte në strukturën e UÇK-së përpara dhjetorit të 1998-s.

Gjithashtu, Maloku ka thënë se nuk kishte drejtori të veçantë për këtë pozitë dhe se Rexhep Selimi ishte epror i respektuar në ushtri, i cili përvojën e kishte fituar në luftë dhe jo akademi siç kanë qenë oficerët e karrierës në UÇK.

Në rolin e tij, dëshmitari Maloku ka thënë se nuk ka pasur asnjë kontakt me Rexhep Selimin në kohën kur është larguar nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së. “Nuk kam pas asnjë komunikim dhe as nuk e kam parë”, ka thënë dëshmitari, duke shtuar që vizitat që i bënte nëpër struktura, ia ka komunikuar vetëm komandantit të Zonës Operative të Dukagjinit dhe jo Rexhep Selimit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Egli ka vijuar diskutimin pas Prime-t me Gjestin. Ajo ka…