Mamaja e Ronaldos, pas akuzave për përdhunim: “Zoti është i madh”
Mamaja e Cristiano Ronaldos ka premtuar mbështetjen e saj për djalin, ndërsa pesë herë fituesi i “Topit të Artë” vazhdon të përballet me akuzat publike për përdhunim. Kathryn Mayorga pretendon se superstari i Juventusit e sulmoi atë seksualisht në një suitë, në “Palms Casino Resort” të Las Vegasit, në nëntor të vitit 2009.
Çifti u takua në klubin e natës më parë, atë ditë, para se gruaja amerikane të ftohej nga Ronaldo për t’u bashkuar me të në suitën e tij me çati. Zonja Mayorga e ka paditur Ronaldon, duke hedhur poshtë marrëveshjen që ajo nënshkroi me futbollistin e njohur, pas incidentit të pretenduar dhe marrjes së një shume të majme financiare për të heshtur, raporton “Telesport”.
Megjithatë, mamaja e ish-futbollistit të Real Madridit, Maria Dolores dos Santos Aveiro, ka postuar një mesazh në rrjetet sociale, ku i jep mbështetje djalit të saj. Krahas një fotoje të saj në divan, ajo la këtë status: “Edhe pse jemi larg prej teje, gjithçka do të jetë mirë. Zoti është i madh”.
Zonja Mayorga e përshkroi akuzën si përdhunim në intervistën e saj me “Der Spiegel”, megjithëse dokumentet ligjore nuk e kanë vërtetuar këtë gjë. Ylli portugez lëshoi një deklaratë në rrjetet sociale të mërkurën për ta pastruar emrin e vet dhe mohoi akuzën për përdhunim. “I mohoj në mënyrë të vendosur akuzat që po bëhen kundër meje. Përdhunimi është një krim i neveritshëm, që shkon kundër çdo gjëje që unë jam dhe besoj. I etur, siç mund të jem unë për ta pastruar emrin tim, refuzoj ta ushqej spektaklin e krijuar nga njerëz që kërkojnë ta promovojnë veten e tyre me emrin tim. Ndërgjegjja ime është e pastër dhe do të më lejojë të pres me qetësi rezultatet e çdo hetimi”, ka thënë Ronaldo.