Manaj ëndërron të luajë me Messin
Rei Manaj ka udhëtuar dje drejt Barcelonës, ku ka kryer vizitat mjekësore dhe javën e ardhshme do të prezantohet si afrimi i parë i kësaj merkatoje nga Barcelona B. Një transferim në formë huazimi deri në fund të sezonit nga skuadra e Albasetes, e cila pagoi të paktën dy milionë euro për kartonin e sulmuesit shqiptar.
Në Spanjë nuk raportohen shumë detaje për transferimin e shqiptarit, por një shqetësim në vesh e ka penguar atë të udhëtojë që në fillim të javës për të pasur mundësinë të jetë në fushë që këtë fundjavë. Mirëpo, ajo që është e rëndësishme, më tepër sesa fakti se tashmë ai do të luajë në Kategorinë e Tretë (jo të dytën si me Albaseten), është fakti që shqiptari ka shansin që të ëndërrojë.
“Sport.es” bën me dije se me dëmtimin e Luis Suarezit, tashmë është në dorën e tij për të tentuar, pse jo, që të jetë përkrah Messit në stërvitje me skuadrën e parë katalanase. “Manaj sheh nga ekipi A”, ka bërë me dije prestigjiozja spanjolle.
Tanimë mbetet për t’u parë se sa do të ambientohet shqiptari në skuadrën katalanase dhe nëse do të arrijë që ta rikthejë Barcelonën B në Ligën e Dytë spanjolle dhe, pse jo, të mund të shijojë stërvitjet dhe ndeshjet, qoftë edhe duke nisur nga stoli, përkrah Lionel Messit.