Manaj flet për Interin, Kondigbian, Gattuson dhe Oddon

24 shkurt 2018 | 08:33

Sulmuesi lushnjar i kombëtares shqiptare, Rey Manaj ka dhënë një intervistë të gjatë për “fcinternews.it”, ku ka folur për eksperiencën e tij në Spanjë te Granada.

Manaj nuk i shpëtoi ngacmimeve as për Gattuson, të cilin e pati trajner vitin e kaluar te Pisa, ndërsa nuk ngurroi të bëjë një koment as për Goefrey Kondigbianë, mesfushorin e zikaltërve, që është në huazim te Valencia.

Si po ju shkon aventura të Granada?
Manaj: Shumë mirë. Kam gjetur një ambient perfekt për të punuar dhe për t’u rritur. Me trajnerin kam një raport të shkëlqyer, pavarësisht se jo gjithmonë luaj titullar, por kjo ndodh ngaqë konkurrenca në sulm është shumë e madhe. Shpresoj shumë që skuadra të ngjitet në La Liga sezonin e ardhshëm.

Vitin e kaluar keni qenë te Pescara dhe më pas te Pisa, ku në të dy rastet është folur se ke pasur përplasje me trajnerët. A janë të vërteta këto zëra?
Manaj: Jo, me Oddon kam pasur një marrëdhënie normale dhe nuk jemi grindur asnjëherë. Te Pisa shkova për të luajtur më shumë dhe për t’u rritur, por problemet që kishte skuadra u reflektuan edhe te ne futbollistët dhe dështuam në objektivin tonë. Edhe me Gattuson kam kaluar shumë mirë dhe më vjen mirë që tani po i ecin mbarë gjërat.

Në verë do të ktheheni sërish në Milano dhe do të keni mundësi të sfidoni Gattuson, në derbi.
Manaj: Nuk kam asnjë sfidë me Gattuson, por në derbi duhet të mundim Milanin gjithmonë.

Pse zgjodhët Granadën dhe jo ndonjë klub italian të Serisë A, ku nuk ju munguan ofertat?
Manaj: Kur bëhet fjalë për një lojtar të ri si unë, nuk ka rëndësi kategoria, por skuadra që të jep mundësi të rritesh. Unë kam synime të mëdha në karrierë dhe te Granada vlerësova ambientin, që besoj se do më ndihmojë shumë.

Ju kanë krahasuar me Balotellin, si për nga talenti, ashtu edhe për sjelljen. Jeni dakord me këtë ?
Manaj: Jo! Unë jam ende larg nivelit të Marios dhe më duhet të punoj ende shumë për t’u bërë si ai. Sa i përket karakterit, unë ul kokën dhe punoj, të tjerat janë më shumë thashetheme mediatike, sesa ngjarje reale.

A e ndiqni Interin?
Manaj: Patjetër, pasi jam tifoz që kur isha fëmijë. Dëshpërohem kur merr rezultate negative dhe festoj si i çmendur kur shënojnë apo fitojnë.

Disa lojtarë që janë në pronësi të Interit, por të huazuar, ashtu si ti aktualisht, flasin keq për zikaltrit. A je dakord me ta?
Manaj: Të luash te Interi nuk është aspak e lehtë, pasi klubi ka një histori shumë të lavdishme dhe duhet të përballosh presionin e të qenit në lartësinë e fanellës që vesh. Personalisht nuk jam aspak dakord me ata që flasin keq, pasi në të gjitha rastet, ata që flasin keq, nuk e kanë merituar të luajnë për Interin. Është njësoj si të pështysh në një pjatë ku ke ngrënë ushqim.

Si e imagjinon rikthimin në Milano?
Manaj: Interi është një klub i madh dhe unë dua të kthehem te zikaltrit si një lojtar i madh. Dua të vij si një sulmues i afirmuar.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Avioni me të cilin udhëtonte familja e teknikut të Mançester…