Manaj: Jemi gati për pranverë, Trepça ’89 nuk bie nga Superliga

05 shkurt 2020 | 19:59

Arb Manaj është i bindur se skuadra e Trepçës ’89 nuk do të jetë e rrezikuar nga rënia prej Superligës së Kosovës në futboll. 

Futbollisti Arb Manaj ka shkëlqyer me fanellën e Trepçës ’89 në sezonin vjeshtor dhe kjo bëri që ai të marrë ftesë nga përzgjedhësi i Kosovës, Bernard Challandes, për ndeshjen miqësore me Suedinë. Manaj të martën për “Epokën e re” është shprehur i lumtur për ftesën e fituar që të jetë pjesë e Përfaqësues A, por zotohet se do të punojë edhe më shumë që sërish të marrë ftesë dhe t’i mbrojë ngjyrat e “dardanëve”. “Jam mjaft i kënaqur me ftesën për ndeshjen kundër Suedisë. Kjo më jep motiv edhe më shumë që të punoj dhe të marr sërish ftesë nga Përfaqësuesja, sepse çdo lojtar e ka ëndërr t’i mbrojë ngjyrat e shtetit të vet”, ka deklaruar Manaj, i cili është duke i zhvilluar përgatitjet me Trepçën ’89 për sezonin pranveror.
Ai ka shtuar se gjeja më e mirë në këto përgatitje ishte moslëndimi i lojtarëve.

“Përgatitjet deri tash kanë shkuar mjaft mirë. Fazën e parë e kemi kaluar në Kosovë dhe të dytën në Durrës. Më e mira është se e kemi kaluar pa lëndime dhe Trepça ’89 është e gatshme për fillimin e sezonit pranveror”, ka shtuar ai. Më pas ka folur edhe për synimet e klubit nga Mitrovica në këtë kampionat, ku ka paralajmëruar se synim është renditja në një pozitë ku nuk rrezikohet nga rënia prej Superligës.

“Në sezonin vjeshtor kemi zhvilluar ndeshje shumë të mira dhe sikurse të kishim fat më shumë do të kishim qenë në ndonjë pozitë më lart në tabelë. Kampionati është i gjatë, por kam besim se Trepça ’89 do të stabilizohet në tabelë dhe nuk do të rrezikohet nga rënia prej Superligës”, ka thënë Manaj.

Futbollisti i talentuar, Manaj, pas formës së mirë në pjesën e parë të kampionatit, ftesës së Përfaqësues dhe shpalljes në njëmbëdhjetëshin më të mirë të Superligës, në afatin kalimtar të janarit ka marrë disa oferta të rëndësishme, por ai ka vendosur ta respektojë marrëveshjen me Trepçën ’89. “Po, kam pasur shumë oferta në janar, por kam kontratë me Trepçën ’89 dhe duhet ta respektoj. Dëshira ime është që të jap kontribut sa më të madh që klubi ta arrijë objektivin në këtë kampionat”, ka pohuar Manaj.

Skuadra nga “Riza Lushta” sezonin vjeshtor e mbylli në pozitën e tetë me 23 pikë të grumbulluara, kurse në shtatëmbëdhjetë ndeshjet e zhvilluara kjo skuadër ka regjistruar 6 fitore, 5 barazime dhe 6 humbje. Kjo skuadër tashmë është eliminuar edhe nga gara e Kupës së Kosovës dhe të gjitha forcat do t’i fokusojë në sezonin vjeshtor vetëm në Superligë.

/Veton ZYMBERI/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkuarja në masë të madhe e të rinjve kosovarë diku…