Manaj: Kujdes nga ‘Nikli’, është kampion në fuqi

07 tetor 2019 | 11:18

Trepça ’89 – Feronikeli dhe katër ndeshje të tjera të javës së nëntë në elitën e futbollit të Kosovës zhvillohen sot (e hënë) nga ora 14:30. Futbollisti Arb Manaj ka thënë se “Nikli” ka skuadër të fortë, por që 89-shi do të hyjë me përqendrim maksimal.

Pesë ndeshjet e javës së nëntë në IPKO Superligën e Kosovës në futboll zhvillohen sot (e hënë). Një nga ndeshjet kryesore do të zhvillohet në Mitrovicë, ku Trepça ’89  e pret Feronikelin. Të dyja skuadrat kanë pësuar humbje në ndeshjet paraprake dhe tash kërkojnë t’u rikthehen fitoreve.

Arb Manaj, që po shkëlqen në këtë edicion me fanellën e ’89-shit, ka thënë për “Epokën e re” se skuadra e tij e ka harruar humbjen e pësuar në Klinë në përballje me Dukagjinin dhe tash është përgatitur për ndeshjen ndaj “Niklit”. Ai ka shprehur bindjen se skuadra nga Drenasi, edhe përkundër disa lëshimeve në ndeshjet e fundit, është edhe më e fortë se në edicionin e kaluar. “Na pret një ndeshje mjaft e fortë ndaj kampionëve të Kosovës, por ne e kemi harruar ndeshjen e fundit dhe jemi përgatitur që të hyjmë në këtë ndeshje me përqendrim maksimal. Pavarësisht prej disa lëshimeve, Feronikeli është kampion në fuqi dhe ka një skuadër me lojtarë cilësorë dhe është më i fortë se në vitin e kaluar”, ka thënë Manaj, i cili ka treguar edhe për mungesën e vetme të skuadrës mitrovicase në këtë ndeshje tepër të rëndësishme.

“Ne kemi mungesën e Ardian Mujës, i cili u lëndua në ndeshjen e kaluar që u rikthye pas një kohe të gjatë. Ne i urojmë shërim të shpejtë dhe të kthehet në skuadër, pasi skuadra ka nevojë për të”, ka shtuar ai.

Skuadra e Feronikelit ka pësuar humbje befasuese në mesjavë nga Llapi (1-2). Për ndeshjen që zhvillohet në stadiumin “Riza Lushta” foli për gazetë edhe futbollisti i Feronikelit, Albutrint Morina, duke bërë me dije se skuadra kampione në çdo ndeshje shkon për fitore. “Ndeshja e radhës do të jetë shumë e vështirë kundër Trepçës ’89, e cila si vendëse luan një futboll të mirë, por ne jemi kampionë aktualë dhe normalisht se do të shkojmë për fitore në çdo ndeshje, përfshirë edhe këtë në Mitrovicë”, ka thënë Morina.

Trepça ’89 është në pozitën e shtatë me 9 pikë, kurse Feronikeli pozicionohet në vendin e katërt me 15 pikë. Të shtunën është zhvilluar ndeshja e parë e kësaj xhiro në mes të Llapit dhe Ferizajt. Skuadra mysafire arriti që të bëjë befasi në stadiumin “Zahir Pajaziti”, pasi shënoi fitore me rezultat 2-4.

IPKO SUPERLIGA

Llapi – Ferizaj                2-4

Të hënën takohen:
Vushtrria – Ferizaj
Ballkani – Prishtina
Trepça ’89 – Feronikeli
Gjilani – Dukagjini
Drenica – Drita

LIGA E PARË

Të hënën takohen:
Drenasi – Ramiz Sadiku
Trepça – Malisheva
Istogu – KEK-u
Ulpiana – Besa
Vëllaznimi – Vllaznia (P)
Onix – 2 Korriku
Arbëria – Vitia
Liria – Dardana

/Veton ZYMBERI/  

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri socialist i Portugalisë, Antonio Costa, ka shpallur fitoren në…