Manaj me këmbë në tokë: Ende nuk jam ambientuar në Turqi

08 nëntor 2020 | 21:31

Arb Manaj ka shënuar brenda javës tri gola për skuadrën e Keciorengucut, por për “Epokën e re” ka thënë se ende nuk është ambientuar në futbollin e Turqisë.

Sulmuesi nga Kosova, Arb Manaj, është duke shkëlqyer në Ligën e Parë të Turqisë, pasi brenda javës ka shënuar tri gola për skuadrën e Ankara Keciorengucu. Sulmuesi nga Klina të dielën për “Epokën e re” ka thënë se ende nuk është ambientuar sa duhet në futbollin turk, por beson se me punën që është duke bërë një gjë e tillë do të arrihet shumë shpejt. “Jam shumë i lumtur që po kaloj nëpër një formë mjaft të mirë, por gjithmonë ka vend për përmirësim. Ende nuk jam ambientuar në futbollin e Turqisë, por do të vazhdoj të punoj shumë siç kam bërë gjithmonë dhe me kohë do të ambientohem”, ka thënë Manaj.

Sulmuesi, pas dy golave në mesjavë që shënoi në kuadër të Kupës, të dielën ka shënuar edhe një gol vendimtar në minutat e fundit për t’i siguruar një pikë Keciorengucut në përballje me Eskisehirsporin (2-2). Futbollisti shqiptar shënoi gol njëmbëdhjetë minuta pas inkuadrimit në lojë. “Pas golave të shënuara normalisht se jam shumë i lumtur, sepse detyrë e sulmuesve është të shënojnë. Golat janë një motiv i madh që të vazhdoj të stërvitem fort dhe të shënoj në vazhdimësi. Nga stafi dhe trajneri kam marrë lëvdata për paraqitjet e bëra dhe golat e shënuara”, ka shtuar ai.


I pyetur për dallimin në mes të Superligës së Kosovës dhe Ligës së Parë të Turqisë, Manaj është përgjigjur: “Dallimi ekziston sepse futbolli këtu është më fizik dhe ritmi është më i shpejtë”.

Arb Manaj është zhvilluar shumë si futbollist dhe arritjet e gjertanishme janë për çdo lëvdatë, pasi ai gjatë karrierës është përballur me shumë vështirësi. Në moshën 17 vjeçe, Manaj kishte pësuar dy lëndime të rënda dhe i ishte dashur të pushonte për dy vjet, por ai gjeti forcën dhe arriti që të rikthehet edhe më i fuqishëm. Manaj ka luajtur për City Sport dhe Kf Dukagjini 2000, pastaj për KF Dukagjini dhe Trepçën ’89. Në edicionin e kaluar, Manaj me fanellën e Trepçës ’89 lojtar më i mirë, por edhe në Superligë ishte në mesin e golashënuesve dhe lojtarëve më të mirë.

/Veton ZYMBERI/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nuk ka aspak lajme të mira nga Italia për shkak…