Manaj tregon ‘sekretin’ e formës së mirë: Më pëlqen të konsumoj shumë bakllava
Rey Manaj po kalon një moment fantastik në Turqi, ku është një nga golashënuesit më të mirë të kampionatit. Duke folur për mediat turke sulmuesi ka treguar dhe “sekretin” e formës së mirë.
“Presidenti i Sivasporit ishte i pari që më telefonoi kur unë isha ende i dëmtuar. E kisha ndjekur një vit më parë këtë ekip teksa luante përballë Fiorentinës. Më pas mora disa telefonata edhe nga disa klube të tjera turke, por dëshiroja të luaja me Sivasporin, pasi i kisha dhënë fjalën presidentit. Tani mendoj se e kam bërë mirë zgjedhjen time”, ka thënë Manaj.
“Tani ndihem mirë, sepse i jam dedikuar këtij sporti. E shikoj me shumë pasion. Vij në stërvitje tri-katër orë përpara dhe kujdesem shumë edhe me ushqimin. Më pëlqen që të konsumoj shumë bakllava, por e frenoj veten pasi duhet të vrapoj shumë. Preferoj ta konsumoj pas ndeshjeve. Dëshira ime është që të dërgoj Sivasporin mes pesë skuadrave më të mira në Turqi”, ka shtuar Manaj, i cili u grumbullua nga Sylvinho për dy miqësoret që Shqipëria zhvilloi muajin e kaluar. Sulmuesi pritet që të jetë gjithashtu në listën e lojtarëve për dy miqësoret e radhës para Evropianit, teksa deri tani ka shënuar 20 gola mes kampionatit dhe Kupës.