Manaj ‘tremb’ Sivassporin: Nuk e di nëse do të qëndroj
E ardhmja e Rey Manaj mbetet një rebus edhe pse nga fundi i merkatos na ndajnë shumë pak ditë. Sulmuesi shqiptar ka nisur sezonin e ri me Sivasspor, ku luajti për 90’ përballë Trabzonspor, por ende nuk dihet nëse do të jetë pjesë e skuadrës në fjalë për shumë kohë.
Sulmuesi ka konfirmuar pas ndeshjes se bisedimet vazhdojnë dhe ekziston mundësia që ai të nisë një aventurë të re në një tjetër skuadër. Në prononcimin pas sfidës, Manaj ka zbuluar se klubi është në bisedime për shitjen e tij, por në anën tjetër sulmuesi zbulon se edhe nëse qëndron në Sivas ai do të jetë po aq i lumtur, pasi është një klub që atij i ka dhënë shumë dashuri.
“Kemi pasur takime me klubin sa i takon situatës së transferimit. Mund të them se gjithçka është ende në zhvillim. Nuk e di nëse do të largohem apo do të vijoj të jem pjesë e Sivasspor. Unë e dua shumë Sivasin, jam trajtuar gjithmonë shumë mire këtu. Nëse do të jetë e mundur që të vazhdoj, sigurisht që do të qëndroj”, ka thënë Manaj, i cili edicionin e kaluar ka qenë shënuesi i tretë më i mirë i kampionatit, pas Mauro Icardit dhe Edin Dzekos.